SHBA – Microsoft : Sulmi kibernetik rus kishte nën shënjestër grupet konservatore

UASHINGTON, 21 gusht /ATSH-AFP/ – Ekipi rus i hakerave i cili u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale amerike kishte si shënjestër grupet konservatore të reflektimit (Think tank) për të vjedhur të dhënat, njoftoi të hënën ”Microsoft”.

”Me urdhër të një gjykate, gjiganti i teknologjisë së kompjuterave mori nën kontroll javën e kaluar gjashtë faqe të rreme në internet të përfshira në këtë fushatë”, njoftoi Brad Smith, presidenti i Microsoft, në një blog.

Hakerat ishin lidhur me një agjenci ushtarake ruse, e njohur dikur me emrin ”GRU”. Objektivi i tyre ishte t’i krijonin përshtypjen përdoruesve të internetit se ata po hynin në faqe që drejtoheshin nga këto organizata, duke i riorientuar drejt faqeve të rreme nën administrimin e hakerave për të vjedhur informacionet si dhe fjalëkalimet e tyre.

Gjithashtu një nga faqet e piratuara duket se imiton atë të ”International Republican Institute”, komiteti i së cilit përfshin senatorë republikanë si John McCain, kritik ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, sipas Brad Smith./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.