TIRANË, 15 gusht/ATSH/ – Teksa maturantët që plotësuan Formularin A2 janë në pritje të rezultatit final, të tjerë kandidatë presin t’i bashkohen garës në universitete.
Bëhet fjalë për maturantët e vjetër, ata që nuk kaluan dot vitin shkollor apo që mbetën në një nga provimet dalëse, si dhe nxënësit që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit.
Për të qenë pjesë e konkurrimit për të zënë një vend në universitet, ata duhet të shlyejnë më parë detyrimet e Maturës Shtetërore. Ministria e Arsimit ka publikuar tashmë datat e provimeve me detyrim e me zgjedhje dhe udhëzimin se si do të zhvillohet sesioni i dytë i testimeve.
Ministria e Arsimit ka vënë dy javë në dispozicion, javën e fundit të gushtit dhe të parën e muajit shtator për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore, sesioni i dytë. Konkretisht, ato nisin më 27 gusht me provimin e gjuhës së huaj, ndjekur nga Gjuha Shqipe e letërsia tri ditë më pas.
Provimet me detyrim mbyllen me testin e Matematikës, që mbahet në datën 3 shtator për të vijuar më pas me provimet me zgjedhje, që janë përcaktuar në datën 7 shtator. Provimet e vjeshtës, në të cilat do të futen ata që presin të plotësojnë Formularin A2, kanë të njëjtën strukturë e kohëzgjatje me provimet që u zhvilluan përgjatë muajit qershor. Për tre provimet e para me detyrim ata kanë në dispozicion 2 orë e gjysmë, ndërsa për provimet me zgjedhje 3 orë.
Gara në universitete
Përpara se të japin provimet që i bëjnë pjesë të konkursit për të fituar një degë në universitetet publike a private, maturantët e vjetër, mbetësit, apo ata që vijnë nga jashtë vendit duhet të plotësojnë Formularin A1Z në datat 21-23 gusht, ku caktojnë lëndën me zgjedhje që dëshirojnë të japin në shtator. Kalimi me sukses i tyre iu jep të drejtën e plotësimit të Formularit A2 nga data 15 deri më 20 shtator, për kuotat që mbeten të lira me përfundimin e raundit të parë të garës. Lista e fituesve të dytë do të shpallet në datën 25 shtator, pas përllogaritjeve që do të bëjnë universitetet.
Provimet e vjeshtës:
Gjuhë e huaj (D3) 27 gusht 2018
Gjuhë shqipe dhe letërsi (D1) 30 gusht 2018
Matematikë (D2) 3 shtator 2018
Provime me zgjedhje (Z1/Z2) 7 shtator 2018
z.tosku/r.e/























