TIRANË, 14 gusht/ATSH-A.Fortuzi/- Policia e Beratit është duke i kushtuar një vëmendje të veçantë turistëve, të cilët kanë zgjedhur këtë qytet për të kaluar pushimet e tyre.
Berati i njohur për tradicionalitetin që ka ruajtur ndër vite, kalaja e të cilës është edhe mbrojtur nga UNESCO vizitohet nga mijëra turist çdo vit dhe gjatë sezonit të verës, ky numër rritet edhe më shumë.
Eraldi, punonjës i policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat tregon përkushtimin e forcave të rendit ndaj turistëve.
“Mirëmëngjesi nga Policia e Shtetit! Jam Eraldi, 24 vjeç, punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat. Prej 1 viti shërbej në Njësinë Operacionale të Rendit në qytetin tim. Çdo ditë në punën tonë, i kushtojmë vëmendje të veçantë turistëve që vizitojnë Beratin, të shumtë sidomos gjatë stinës së verës. Për çdo emergjencë telefononi Policinë e Shtetit në numrin 112!”, bën thirrje Eraldi.
Policia e Shtetit gjatë këtij sezoni përmes postimeve të shumta në “Facebook” ka prezantuar disa të rinj e të reja që punojnë në forcat policore dhe që janë të angazhuar çdo ditë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, veçanërisht në zonat turistike, ku dhe fluksi i qytetarëve është tejet i lartë. /a.g/


















