Ballina Kosova

Komuna e Gjilanit bashkëpunim me Finlandën në fushën e arsimit

 

PRISHTINË, 13 gusht/ATSH/- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, priti sot në një takim pune ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Anne Huntamaki, me të cilën bisedoi për Gjilanin, tolerancën ndëretnike dhe ndërfetare dhe për mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen në fushën e arsimit të mesëm dhe universitar.

“Është vizita e parë e një ambasadoreje të Finlandës në komunën e Gjilanit. Interesimi i saj ishte kryesisht për zhvillimet e përgjithshme në komunën e Gjilanit. E informova ambasadoren për bashkëpunimet ndërpartiake dhe përfaqësimin politik në Kuvendin e komunës, pastaj për dialogun ndërfetar që ekziston në Gjilan, si specifikë nga komunat e tjera, për raportet ndëretnike që janë shumë të mira dhe të qëndrueshme”, theksoi kryetari Haziri.

Gjithashtu kreu i Gjilanit Lutfi Haziri e informoi ambasadoren edhe sa i përket pozitës që ka Gjilani si pjesë e trekëndëshit kufitar me Maqedoninë dhe Serbinë.

“Kosova dhe Finlanda e kanë një lidhje emocionale, por edhe historike, për shkak se ish presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka qenë udhëheqës dhe ndërmjetësi kryesor i bisedimeve Kosovë – Serbi, për shpalljen e koordinuar të Pavarësisë së Kosovës. Ambasada gjithashtu ka pasur edhe programe të vogla dhe ne jemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë dhe koordinohemi edhe për fushën e arsimit, sepse Finlanda sipas PISA-as është shteti me arsimin më të zhvilluar momentalisht”, nënvizoi Haziri.

Kryetari Haziri u shpreh se “shpreson shumë që ambasadorja të vlerësojë mundësinë e bashkëpunimit në nivelin e shkollave të mesme dhe universitetit “Kadri Zeka”, në mënyrë që të kemi edhe shkëmbim të studentëve, por edhe ngritje të cilësisë në këtë sektor të rëndësishëm./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRritet me rreth 58% numri i biznesve të reja në zonat turistike
Artikulli tjetërMbyll siparin Festa e Birrës, rekorde vizitorësh në Korçë