TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Kredia për sektorin privat regjistroi një rritje mesatare me 5%, në tremujorin e dytë të vitit, me një kontribut më të balancuar në rritje midis kredisë në lekë dhe kredisë në valutë.
Banka e Shqipërisë vlerëson se në përgjithësi, rritja e kredisë është në linjë me përmirësimin e moderuar të kërkesës për të.
Megjithatë, vrojtimi i aktivitetit kreditues sugjeron se standardet dhe kushtet e kreditimit të aplikuara nga sektori bankar vijojnë të mbeten konservatore.
Banka e Shqipërisë konstaton se rënia e rrezikut të kredisë dhe përmirësimi i vazhdueshëm i bilanceve, sikundër ilustrohet nga rënia në nivelin 13.27% e raportit të kredive me probleme, duhet të gjejnë një pasqyrim më të mirë në politikat e kreditimit të sektorit bankar./m.m/


















