TIRANË, 31 korrik/ATSH/ – Qeveria miratoi shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i varrezave të reja”, bashkia Shkodër.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi që ky shpronësim të bëhet në favor të bashkisë Shkodër.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë arë”, me sipërfaqe 38 957 (tridhjetë e tetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e shtatë) m2, me vlerë të përgjithshme prej 9 868 500 (nëntë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e pesëqind) lekësh.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 868 500 (nëntë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e pesëqind) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë Shkodër, planifikuar në buxhetin e saj.
Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia Shkodër.
Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e pronësisë pranë bashkisë Shkodër. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në bashkinë Shkodër, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me bashkinë Shkodër, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të bashkisë.
Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
Ngarkohen Ministria e Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër dhe bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi. /e.xh/r.e/























