ZYRIH, 17 korrik /ATSH-AFP/ – Gjiganti farmaceutik zviceran “Roche” publikoi sot rezultatet e një studimi klinik mbi një trajtim të ri kundër gripit, që kanë treguar efikasitetin e tij tek pacientët që paraqesin një rrezik të lartë të komplikacioneve.
“Sipas këtij studimi të fazës III, që korrespondon me stadin e avancuar të provave klinike, ky trajtim i ri, i quajtur Baloxavir marboxil ka arritur objektivin kryesor duke zbuluar një efikasitet të lartë në raport me trajtimin në kohëzgjatjen e përmirësimit të simptomave tek pacientët e rrezikuar”, theksoi grupi në një komunikatë.
Studimi flet edhe për një efikasitet të lartë në raport me trajtimin dhe medikamentin oseltamivir, antigripi që tregtohet me emrin Tamiflu, në lidhje me kohëzgjatjen, gjatë të cilës virusi vazhdon të përhapet në organizëm.
Tek pacientët e rrezikuar, si personat e moshës mbi 65 vjeç apo personat që vuajnë nga astma, diabeti, sëmundjet pulmonare kronike apo sëmundjet kardiake, gripi mund të shkaktojë komplikime të rënda që arrijnë deri në shtrimin në spital ose vdekje.
”Pjesëmarrësit kanë marrë një dozë nga 40 deri në 80 mg për pesë ditë”, theksoi grupi zviceran që parashikon të publikojë rezultatet e plota të këtij studimi gjatë kongreseve të ardhshme mjekësore.
”Gripi është një prej sëmundjeve infektive më të përhapura, që prek çdo vit rreth pesë milionë persona në nivel botëror dhe është shkaku i 650 000 vdekjeve”, theksoi grupi zviceran duke iu referuar shifrave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)./ /ec/ a.jor.






















