7 sfida që e bindën CR7 të kalojë te “Juventusi”

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Në prezantimin e tij si lojtar i “Juventusit”, Cristiano Ronaldo bëri të qartë se ai ishte në Itali për një sfidë të re dhe, në moshën 33-vjeçare, ai është i vendosur të provojë veten në një ligë tjetër të lartë, duke shtuar sukseset e tij që arriti në Premier League dhe La Liga.

Janë shtatë sfida që e bënë CR7 të bashkohet me “Zonjën e Vjetër” të futbollit italian.

  1. Për të treguar atë që ende ka ç’të ofrojë në fushën e lojës

Portugezi ka bërë shaka rreth faktit të të qenurit 10 vjet më i ri nga sa tregon certifikata e tij e lindjes. Një nga synimet e tij kryesore në Serinë A, do të jetë të tregojë se në fushë ai mund të ngatërrohet me dikë që është në kulmin e aftësive të tij.

Ai bëri komente mbi lojtarët në moshën e tij, që zakonisht lëvizin në Kinë apo në Ligën amerikane të Futbollit, duke theksuar se ai përfaqëson dikë ndryshe dhe do ta provojë që ende është një nga lojtarët më të mirë në botë.

  1. Për të fituar Ligën e gjashtë të Kampioneve

Nëse ka një garë që e përcakton Cristiano Ronaldon më shumë se çdo futbollist tjetër, është Liga e Kampioneve. Ai kurrë nuk e ka fshehur dëshirën e tij për t’u mbajtur mend si një nga heronjtë e turneut. “Juventusi” nuk e ka fituar trofeun që prej 22 vjetësh dhe në vitet e fundit “Reali i Madridit” dhe portugezi e kanë ndalur në rrugën e tij për rifitimin e këtij trofeu.

  1. Të mburret me fitimin e tri Ligave të Kampioneve me tre klube të ndryshme

Për t’u kurorëzuar si “Z. Champions League”, Ronaldo mund të bëjë pak më shumë, që ta fitojë atë me tre klube të veçanta. Clarence Seedorf e ka arritur këtë, por ka pak njerëz që madje mund të ëndërrojnë ta përsërisin këtë gjë.

 

  1. Për të fituar tri liga në tre vende të ndryshme

“Juventusi” dominon vitet e fundit Serinë A dhe e ka bërë për shtatë sezone rresht, kështu që ka të ngjarë që portugezi të bëhet kampion në vendin e tij të tretë ku ka luajtur, pas sukseseve me “Manchester United” në Angli dhe me “Real Madridin” në Spanjë.

 

  1. Për t’u bërë golashënuesi më i mirë i “Juventusit” në një sezon

Tridhjetë e pesë është numri i golave që CR7 do të synojë në Itali, për të kaluar sulmuesin hungarez Ferenc Hirzer, i cili mban rekordin e rezultateve të klubit që nga sezoni 1925-1926. Afro një shekull më pas, Ronaldo do t’i ketë sytë te numri 35 nga momenti që ai të fillojë ndeshjen e tij të parë me fanellën juventine.

  1. Për të fituar Këpucën e Artë si golashënuesi më i mirë me tre klube të ndryshme

Pas përfundimit të aventurës spanjolle duke dalë si golashënuesi më i mirë atje dhe në Europë tri herë me “Realin e Madridit” dhe një herë me “Manchester United”, 33-vjeçari do të jetë i etur për t’u kurorëzuar përsëri si golashënuesi më i mirë në Serinë A.

 

Titujt “Këpuca e Artë” të fituara nga Cristiano Ronaldo

Sezoni 2007/08: 31 gola me “Manchester United”

Sezoni 2010/11: 40 gola me “Real Madridin”

Sezoni 2013/14: 31 gola me “Real Madridin”

Sezoni 2014/15: 48 gola me “Real Madridin”

  1. Për të fituar Topin e gjashtë të Artë

Sipas portugezit, për ta kaluar Lionel Mesin, fituesin e Topit të Artë, duhet të jesh vërtet i madh edhe pse ai vetë tashmë e ka bërë këtë.

A do ta udhëheqë Cristiano Ronaldo “Juventusin” drejt suksesit? Për këtë nuk duhet vënë bast kundër tij, përderisa konsiderohet sërish më i miri në botë. /marca//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.