TIRANË, 13 korrik /ATSH- I. Vata/ – Partia Demokratike akuzoi sot qeverinë se për shembjen e teatrit ka një plan të mirëmenduar me qëllimin për të ndërtuar 6 kulla në zonën e Teatrit.
Në një deklaratë për mediat, Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Albana Vokshi shprehu këmbënguljen e opozitës për transparencë.
Duke iu referuar qëndrimeve për teatrin, Vokshi akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliajn si vendimitar për ekzekutimin e vendimit të shembjes së teatrit.
“Me zgjedhjen e Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, kryeministri vendosi ekzekutimin përfundimtar të planit mafioz për shembjen e Teatrit dhe betonizimit të Qendrës Historike të Tiranës”, tha Vokshi.
Në fund, Vokshi u shpreh se “transparenca jonë do të vazhdojë me këmbëngulje, pavarësisht tendencës së mediave kryesore në vend për të censuruar opozitën! ”./m.m/











