Ballina Kosova

Kosovë-Britani e Madhe, thellim i bashkëpunimit ekonomik

PRISHTINË, 9 Korrik/ATSH/- Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale dhe grupi i miqësisë Parlamentare të të dyja vendeve është dëshmi e bashkëpunimit reciprok.

Kështu theksoi kryeministri Ramush Haradinaj, në takim me grupin e miqësisë Parlamentare Kosovë–Mbretëri e Bashkuar, me anëtarët e Parlamentit, Martin Vickers, kryesues i Grupit të Miqësisë, John Grogan, bashkëkryesues i Grupit dhe Ian Paisely.

Haradinaj, i njoftoi parlamentarët me progresin e Kosovës, përkushtimin e qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, tërheqjen e investitorëve të huaj, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rrugën euroatlantike të saj, duke theksuar se Kosova është e interesuar të zgjerojë partneritetin ekonomik.

“Grupet e miqësisë së mirë në Parlamentet tona, janë bazë e mirë për kultivimin e marrëdhënieve të mira dhe partneritetit me Britaninë e Madhe”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke folur për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe duke kërkuar mbështetjen për liberalizmin e vizave, Haradinaj u tha parlamentarëve nga Mbretëria e Bashkuar se me liberalizimin e vizave vendet perëndimore do të kenë më shumë ekonomi dhe më shumë këmbime.

“Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar në momentet vendimtare ka qenë shumë e rëndësishme për Kosovën, prandaj populli dhe Republika e Kosovës u janë mirënjohës”, tha Haradinaj, duke kërkuar edhe më tej mbështetjen e shtetit britanik për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit në rrafshin ekonomik dhe politik.

Haradinaj u shpreh se “në Kosovë janë krijuar parakushte për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, dhe në këtë drejtim inkurajoi investitorët e huaj të sjellin investimet e tyre në Kosovë”.

Anëtarët e grupit të miqësisë parlamentare Kosovë –  Mbretëri e Bashkuar,  vlerësuan progresin e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, duke thënë se do të jenë përkrahës të të gjitha proceseve në Kosovë./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKINË – Takimi i XX-ë i liderëve Kinë-BE më 16 korrik në Pekin
Artikulli tjetërBEOGRAD – Konferencë ndërkombëtare mbi marrëdhëniet Serbi-Shqipëri