KINË – Tregtia e shërbimeve ruan ritmin e rritjes

PEKIN, 5 korrik /ATSH-AFP/ – Tregtia e shërbimeve e Kinës ruajti një rritje të fuqishme në pesë muajt e parë të këtij viti, pasi qeveria i ka kushtuar më shumë energji hapjes së mëtejshme të këtij sektori, sipas CRI-së.

Ministria e Tregtisë e Kinës thotë se tregtia e shërbimeve në vend u rrit 12 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, për të qëndruar në 2.1 trilion juanë, ose rreth 320 miliardë dollarë amerikanë, në periudhën janar-maj.

Vëllimi i eksporteve të shërbimeve u rrit 13 për qind, në mbi 690 miliardë juanë, ndërsa vëllimi i importeve arriti në 11 për qind, një vlerë prej 1.4 trilion juanësh, duke rezultuar në një deficit prej gati 720 miliardë juanësh.

Tregtia në sektorin e shërbimeve ka të bëjë me shitjen dhe shpërndarjen e produkteve të paprekshme si transporti, turizmi, telekomunikacioni, ndërtimi, reklamimi, informatika dhe kontabiliteti./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.