Martinez nxit Belgjikën: “Është ndeshja e ëndrrave, jemi gati!”

TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Sulmi më i mirë sfidon mbrojtjen më të mirë, Belgjika është gati të luajë kartat e veta kundër Brazilit të Neymar: “Ne jemi krenarë që mund të luajmë ndeshjen e ëndrrave, – tha trajneri i Belgjikës Roberto Martinez, në konferencë për shtyp, një ditë para ndeshjes çerekfinale kundër Brazilit. – Dallimi midis nesh dhe ‘Selecao’ është se ne nuk e kemi fituar kurrë një Kupë Bote, kurse brazilianët kanë mentalitetin e fituesit”.

Djajtë e kuq janë të gatshëm për ndeshjen: “Kemi dy vjet që përgatitemi për sfida të tilla, jemi gati”.

“Jemi krenarë që mund të luajmë këtë ndeshje dhe nuk mund të presim që nesër ta shohim Brazilin përpara nesh”, – tha trajneri spanjoll i Belgjikës, në pragndeshjen e së premtes në stadiumin e Kazanit. “Brezi i artë” i Martinez arrin të përballet me Brazilin me besimin e një kombëtareje të pamposhtur në dy vitet e fundit, deri në pikën që, në atdhe, lojtarë si Lukaku, Hazard, De Bruyne i cilësojnë për nga talenti, si lojtarë me nivel jo më poshtë se ai i Neymar.

Martinez tregon se ç’mund të jetë vendimtare nesër. “Kevin De Bruyne është bërë një lider i vërtetë për Belgjikën – nënvizoi ai, – dhe kjo është thelbësore për mundësinë tonë për të fituar Kupën e Botës. Rëndësia e tij në skuadrën tonë është nënvlerësuar, ndoshta sepse kur luan për klubin e tij ai prodhon më shumë pasime dhe gola dhe kështu është më e lehtë të vlerësohet paraqitja e tij”.

“Dallimi kryesor është se ne kurrë nuk kemi fituar një Kupë Bote, – tha Martinez. – Përveç talentit dhe taktikës, brazilianët kanë mentalitetin e dikujt që e di se çfarë do të thotë të fitosh Kupën e Botës, të cilën ne ende nuk e kemi arritur. Kështu, vetëm një ‘performancë e plotë’ nga Belgjika mund të kompensonte disavantazhin psikologjik. Forca më e madhe e ekipit tonë është të sulmojmë në shumë mënyra dhe të përdorim lojtarët në mënyra të ndryshme”, – shpjegoi trajneri i përfaqësueses belge.

Belgjika do të duhet gjithashtu të tregojë pjekuri pas rrezikut të madh të eleminimit kundër Japonisë në ndeshjet e 1/8, me përmbysjen e rezultatit nga 0-2 në 3-2 në 20 minutat e fundit: “Jo shumë skuadra mund të bëjnë atë që kemi bërë me Japoninë, ka diçka të veçantë në ekipin tonë”, – tha me bindje Martinez. – Por tani nuk do të lejohen shpërqendrime të atilla, si ato kundër ‘Samurajve Blu’”.

“Ne e dimë pse jemi këtu, – përfundoi ai. – Në dy vitet e fundit jemi përgatitur për një ndeshje si kjo: Nesër në fushë do të jemi vetvetja. Jemi gati!”

Ndeshja do të drejtohet nga gjyqtari serb Milorad Mazic, i cili gjykoi edhe ndeshjen finale të Champions League midis “Realit të Madridid” dhe “Liverpulit”. Do të jetë gjykimi i tij i tretë në këtë turne, pas takimeve Kolumbi-Senegal dhe Meksikë-Kore e Jugut.

/tgcom//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.