Ballina Kulturë

Koncert blues në 242-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ – Një koncert me muzikën amerikane blues, i organizuar me nismën e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, mblodhi mbrëmjen e sotme në ambientet e Pallatit të Brigadave personalitete të politikës, artit dhe shoqërisë civile.

Koncerti “Red, White & Blues” vjen në vigjilje të 242-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke përshëndetur të pranishmit, ambasadori Lu e konsideroi nder “udhëtimin” e bërë gjatë mandatit të tij në Shqipëri.

“Mirë se erdhët në festimin tonë të muzikës amerikane blues. Kjo traditë muzikore është mbi 100-vjeçare dhe nisi me afro-amerikanët. Jemi të nderuar që disa prej muzikantëve më të mirë të Shqipërisë do të interpretojnë sot këngët amerikane. Meqë ky është koncerti im i fundit i Ditës së Pavarësisë me ju, më lejoni të them që ka qenë një nder i madh që kam bërë këtë udhëtim me ju”, – tha Lu.

Mbrëmja kishte si kod veshjeje xhinset dhe festimeve iu bashkuan edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. /m.m//e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Liderët e BE-së vendosin të forcojnë eurozonën për t’i bërë ballë krizave
Artikulli tjetërLETONI – Guvernatori i bankës qendrore dënohet për korrupsion