Ballina Kulturë

Ish-drejtoresha e “Metropolit” në krah të Veliajt: Teatri qëndron mbi partitë

TIRANË, 25 qershor/ATSH/-Një nga fjalimet që tërhoqi më shumë vëmendjen në dëgjesën e sotme me artistë dhe arkitektë të organizuar nga bashkia e Tiranës për çështjen e teatrit të ri, ishte ajo e ish-drejtoreshës së Teatrit Metropolit në kohën e Lulzim Bashës.

Aktorja Suela Konjari u bëri thirrje kolegëve të saj që të tejkalojnë bindjet partiake majtas dhe djathtas pasi teatri është mbi partitë politike. Ish-drejtoresha në kohën që Bashkia drejtohej nga PD, kërkoi që të gjendet një gjuhë e përbashkët duke vendosur interesin e spektatorit në radhë të parë.

“Kur mbaron një shfaqje teatri të gjithë e dimë që melodia e parë që vjen për aktorin në skenë, është duartrokitja e publikut. Dhe kur duartrokasin njerëzit, ngrenë dorën e majtë që e bashkojnë me dorën e djathtë dhe na dhurojnë ne atë melodi brilante për të cilën ne japim edhe frymën, edhe jetën. Thënë këtë dua të them, që ju ftoj të gjithëve, veten time të parën, ju dhe gjithë kolegët e mi, edhe specialistë, që t’i tejkalojnë bindjet partiake, është teatri mbi partitë. Shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë është thjesht dashuria dhe ta dëgjojmë dhe ta besojmë njëri-tjetrin. Ne duhet të besojmë tek njëri-tjetri dhe teatri na jep mundësinë që ta duam njëri-tjetrin dhe ta besojmë. Shpresoj që të arrijmë më të mirën e mundshme”, deklaroi Konjari. z.tosku/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTabarez: Do të tregojmë gjithë potencialin tonë me Rusinë
Artikulli tjetërBRUKSEL – KE: ”Amazon” dhe ”Alibaba” tërheqin produktet e rrezikshme