Ballina SPORT

Kroacia shtang Argjentinën 3-0

TIRANË, 22 Qershor/ATSH/ -Të gjithë prisnin një reagim krenarie dhe kthese nga ana e Argjentinës, por Messi me shokë zhgënjyen sërish në katërkëndëshin e blertë dhe tani kanë vënë në rrezik total kalimin e grupeve.

Në sfidën e dytë të grupit, kombëtarja albiçeleste u mposht nga Kroacia me rezultatin e pastër 3-0, me ballkanasit që tashmë sigurojnë kalimin për në fazën e 1/8-ave.

Pjesa e parë kishte shumë ritëm, me Kroacinë që vraponte shumë, mbyllte hapësirat dhe kundërsulmonte rrezikshëm. Për tej rasteve të krijuara, 45 minutat e para u mbyllën në barazim pa gola.

Në fillim të pjesës së dytë ishte portieri Caballero që bëri një gafë të madhe gjatë largimit të topit, duke ia dhuruar atë Ante Rebiçit, që me qetësi gjuajti bukur dhe kaloi kroatët në avantazh.

Trajneri i Argjentinës nuk mund të pajtohej me humbjen dhe hedh në fushë dyshen e Juventusit Higuain-Dybala, por golin e shënon sërish Kroacia. Një top i rikuperuar nga Perisiç dhe Brozoviç, bëri që mesfushori i Interit të shërbente për Modriç dhe kapiteni gjuajti nga rreth 20 metra distancë, duke shënuar edhe golin e dytë, kur kishin mbetur edhe 10 minuta lojë.

Në minutën e 92-të ishin sërish kroatët, që pas një kundërsulmi të shpejtë gjetën edhe golin e tretë, të shënuar nga mesfushori që luan në një skuadër me Messin, Ivan Rakitiç.

Përfundon 3-0 dhe tashmë Argjentinës jo vetëm që i duhet patjetër fitorja në ndeshjen e fundit ndaj Nigerisë, por duhet edhe të shpresojë që Islanda të mos marrë fitore në dy takimet e radhës.

/gj.m/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAXHENDA NDËRKOMBËTARE 22/6/2018
Artikulli tjetërIslanda kërkon kualifikimin historik