Ballina Kosova

Thaçi dekoroi reporterët e luftës, Nuhi Bytyçin dhe Abaz Zekën

PRISHTINË, 21 qershor/ATSH/.- Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dekoroi sot reporterët e luftës, Nuhi Bytyçin dhe Abaz Zekën, me Medaljen Presidenciale Jubilare të 10 vjetorit të Pavarësisë.

Në ceremoninë e organizuar Thaçi tha se kontributi i popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi është shumë i madh.

“Kontributi i njerëzve aktivistë politikë, luftëtarë të lirisë, i të gjithë atyre njerëzve që ranë në istikamet e luftës ishte shumë i madh, por një kontribut të jashtëzakonshëm dhe historik kanë dhënë edhe njerëzit që me të vërtetë kanë prezantuar atë që ndodhte në Kosovë, rezistencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke marrë pjesë drejtpërdrejtë në istikame të luftës dhe të njëjtën kohë, duke bërë xhirime të rrezikshme për të prezantuar pamjet, realitetin dhe të vërtetën e Kosovës, kudo ku jetonin shqiptarët, por edhe në botë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Sipas tij, në mesin e këtyre njerëzve, prej më të çmuarve janë edhe Nuhi Bytyçi dhe Abaz Zeka.

Gazetari Nuhi Bytyçi e falënderoi presidentin Thaçi për këtë medalje me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

 “Kjo mirënjohje është jo vetëm për punën time dhe të Abazit, por edhe të  kolegëve të tjerë gazetarë, kameramanë, montazhierë, me të cilët kemi punuar dhe bashkëpunuar në rrethana të luftës, por edhe pas luftës në ndërtimin dhe rindërtimin e Kosovës dhe në rrugëtimin 10 vjeçar të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, theksoi Bytyçi./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – Ardern tashmë edhe kryeministre edhe nënë!
Artikulli tjetërBerat-Kuçovë, pjesë e investimeve nga Banka Gjermane për Zhvillim