Ballina Kosova

PSD: Kuvendi i Kosovës të udhëheqë dialogun me Serbinë

PRISHTINË, 20 qershor/ATSH/.- Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, tha sot se partia që ai drejton propozon që dialogu me Serbinë në Bruksel të udhëhiqet nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa duhet themeluar edhe një komision parlamentar për mbikëqyrjen e këtij procesi, të cilit duhet t’i raportojë ekipi negociator.

Ai këto komente i bëri në tryezën e partive politike ku u diskutua rreth dialogut me Serbinë.

“Duke marrë parasysh që dialogu po merr një axhendë të madhe të politikës, ne kemi propozuar që dialogun ta udhëheqë Kuvendi i Kosovës, themelimi i një komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e dialogut, ku ekipi negociator do t’i raportojë. Nëse mandatohet nga Kuvendi, ky i fundit mund të shkarkojë këdo. Nuk e dimë se pse po shkohet në dialog. Nuk ka dakordim të subjekteve politike me këtë tekst”, theksoi Ahmeti.

Ahmeti, i cili është kryesues i kësaj tryeze me partitë politike shqiptare, ka bërë të ditur se PDK dhe Nisma kërkojnë konsensus mbi procesin e dialogut, pasi nuk janë dakord me disa pika.

“Në Kushtetutë nuk parashikohet dialog me Serbinë për njohje të dyanshme. Ne jemi republikë parlamentare. Mendojmë se në Kushtetutë është e qartë se Kuvendi duhet ta udhëheqë këtë dialog. Nuk po kërkojmë që të ketë ekip të unitetit, por kërkojmë që të jemi së paku mbikëqyrës aktiv. Qeveria e Kosovës sot është një qeveri minoritare, nuk e ka shumicën e thjeshtë”, tha ai.

Sipas tij, nëse Kuvendi i Kosovës vendos që presidenti Hashim Thaçi të udhëheqë dialogun, atëherë nuk do të ketë mbështetjen e PSD-së./Kosovapress/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSqarimi i Ministrisë së Brendshme: Kampet e imigrantëve nuk janë në diskutim
Artikulli tjetërMAQEDONI – Parlamenti ratifikon marrëveshjen e emrit me Greqinë