Ballina Aktualitet

Programi “100 fshatrat”, Rama fton vendet e BE-së për binjakëzime

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ – Kryeministri i vendit ftoi përfaqësitë diplomatike që operojnë në territorin shqiptar për të binjakëzuar fshatrat e vendeve të tyre me ato shqiptare, me qëllim zhvillimin e agroturizmit dhe forcimin e bashkëpunimit mes tyre.

Me një tryezë të përbashkët me të gjitha përfaqësitë e miqve të Shqipërisë, (diplomatët dhe përfaqësitë e huaja), Kryeministri u bëri ftesë konkrete për t’u bërë pjesë e Programit Kombëtar të Rilindjes Rurale “100 fshatrat”, si rrugë e re bashkëpunimi dhe si një model suksesi të zhvillimit rural. Ndërsa e konsideroi programin e “100 fshatrave”, një platformë partneriteti, Rama ndau arsyet dhe qëllimet e këtij projekti, të cilin e quajti me rëndësi të madhe për të ardhmen.

“Synimi është që këto “100 fshatra” të funksionojnë në një platforme me shumë partneritete për të arritur potencialet e këtyre fshatrave dhe të gjenerojmë ndryshim, bazuar në mikromodelet. Pra, synimi është që të krijojmë 100 pika të ndryshme graviteti dhe për fshatrat e tjera të jetë potencial për të zhvilluar agroturizmit dhe ekoturizmin. Jemi shumë të përqendruar në zhvillimin e agroturizmit, si një instrument shumë efikas për të luftuar varfërinë. Në këtë qasje janë të nevojshme paratë, por elementët më të rëndësishme janë njohuritë dhe ndërveprimet”, – tha Rama.

Më tej, ai theksoi se vetëm bashkëpunimi mes tyre do të sjellë rezultat pozitiv.

“Nuk ka të bëjë vetëm me investimet në këto fshatra, por edhe me investimet në përpjekje në shkëmbimin e kapitalit njerëzor. Nëse mund t’ia dalim mbanë që së bashku me ju të bëjmë binjakëzime me fshatrat e vendeve tuaja dhe të sigurohemi që fermerët të flasin me njerëzit tanë, kjo mund të jetë e rëndësishme. Duke kaluar me organizatat rinore dhe organizatat e grave, duke zhvilluar qasje të përbashkëta për të mbështetur zejtarinë, traditën dhe jam e sigurt që do të jetë diçka fantastike”.

Patronazhimin e fshatrave shqiptare nga ana e vendeve të tjera, Kryeministri e konsideroi një mesazh të fortë për njerëzit që jetojnë në zonat rurale.

“Iniciativa për patronazhimin e fshatrave mund të jetë shumë e thjeshte për ju, pasi ju e keni bërë dhe po bëni me fshatrat tuaja. Ky do të ishte një mesazh mjaft i fortë për personat që jetojnë në zonat rurale. Ne duam t’i themi atyre që nuk jeni vetëm, nuk jeni të ndëshkuar që jetoni aty. Jam i sigurt që ju do të kontribuoni me eksperiencat tuaja dhe është shumë e rëndësishme që të na bëni me dije se çfarë nuk ka funksionuar dhe çfarë duhet bërë me pushtetin vendor. Ne besojmë shumë që ka një potencial mjaft të madh për këto gjëra dhe ne besojmë që duhet të zhvillojmë bujqësinë, gjedhët, por jo vetëm”.

Rama tha se zonat e përzgjedhura e kanë të vështirë të lidhen me tregun, ndërsa ky investim do të nxjerrë nga izolimi këto zona duke rritur edhe eksportet e tyre./z.t/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTrajneri i Rusisë: lojtarët si Salah e bëjnë futbollin të këndshëm
Artikulli tjetër“Rilindja Rurale”, emigrantët të investojnë në fshat