RUSI 2018: Ramos motivon Spanjën

78

TIRANË, 13 qershor/ATSH-ANSA/ Në pritje të deklaratave të para të trajnerit të ri të përfaqësueses së Spanjës, Fernando Hierro, kapiteni Sergio Ramos flet në rrjetet sociale për të shkundur mjedisin sportiv, pas zhurmës së ngjallur nga përjashtimi i Julen Lopetegui nga drejtuesit e Federatës Spanjolle të Futbollit (FSF).

“Ne jemi ekipi kombëtar, – nënvizon Ramos, – dhe ne përfaqësojmë një stemë, ngjyra, mbështetës, një komb të tërë, përgjegjësia dhe angazhimi janë me ju dhe për ju dje, sot dhe nesër”.

Më kot, në orët përpara njoftimit të presidentit të FSF, Luis Rubiales, tre kapitenët e Spanjës (Ramos, Iniesta dhe David Silva) dhe veteranët e tjerë të cilëve ‘u shkon fjala’ në dhomat e zhveshjes (Reina, Piqué dhe Busquets) janë përpjekur t’i ndryshojnë mendjen Rubiales, duke pretenduar se nuk ishte koha për të marrë vendime drastike.

Ndërkohë, ish-trajneri i deritanishëm Lopetegui ka lënë Rusinë dhe po kthehet në shtëpi.

Lopetegui: Jam shumë i trishtuar!

“Unë jam shumë i trishtuar, por shpresoj që Spanja të fitojë Kupën e Botës”, – janë fjalët e pakta lakonike të ish-trajnerit të Spanjës, Julen Lopetegui, i ‘kapur’ nga mediet spanjolle në aeroportin e Krasnodarit, kur po bëhej gati të nisej për në Madrid.

“Ne kemi një skuadër të shkëlqyer dhe do të përpiqemi të fitojmë Kupën e Botës”, – shtoi trajneri spanjoll, i cili u lirua nga pozicioni i tij këtë mëngjes, pas njoftimit zyrtar të djeshëm të rolit të tij të ri tek ekipi i “Realit të Madridit”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.