Shqipëria, tarifat bashkiake më të ulëta në rajon

TIRANË, 9 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Tarifat bashkiake në Shqipëri janë më të ulëta se në gjithë rajonin.

Në vijim të turit të llogaridhënies publike, kryeministri Edi Rama iu përgjigj një banori të Lushnjes i cili ngriti shqetësimin për rritje të taksave. Kryeministri theksoi se “nuk duhet të ngatërrohen taksat kombëtare me tarifat bashkiake”.

Duke sjellë një shembull krahasues, Rama tha se tarifat bashkiake në Shqipëri janë më të ulëta se në Maqedoni. “Në Lushnje janë më të ulëta se në Kumanovë. Tarifat bashkiake janë më të ulëtat se në çdo cep të rajonit, ashtu siç është edhe uji më i lirë në gjithë rajonin”, tha Rama.

“Taksat kombëtare janë komplet tjetër nga tarifat bashkiake. Nuk kanë lidhje fare me njëra-tjetrën. Taksa 10% ishte taksë e sheshtë njësoj për të gjithë dhe ishte më e rëndë për të vegjlit dhe më e lehtë për të mëdhenjtë. Ndërsa, tarifat bashkiake janë tarifa shërbimesh, ti paguan shërbimin”, tha Rama.

Ai sqaroi se taksat kombëtare janë kontribut për buxhetin e shtetit, që shteti e merr dhe pastaj e ndan në rrugë, investime, shërbime etj.

Ndërkohë kur paguan një tarifë bashkiake, paguan për shërbime, paguan për ndriçimin, hapësirën publike etj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.