VJENË, 8 qershor /ATSH-AFP/ – Kancelari konservator austriak, Sebastian Kurz njoftoi sot se vendi i tij do të dëbonte rreth 60 imamë të financuar nga jashtë si edhe mbylljen e shtatë xhamive për të luftuar kundër islamit politik.
Ky vendim është i lidhur me rikrijimin imagjinar, shumë të diskutuar, nga fëmijë të veshur si ushtarë, në një prej xhamive kryesore të Vjenës të lidhur me komunitetin turk, të një beteje emblematike të historisë osmane.
“Shoqëritë paralele, islami politik dhe radikalizimi nuk kanë vend në shtetin tonë”, theksoi kryeministri austriak në një konferencë shtypi.
Fotot e rikrijimit të betejës së Galipolit, i luajtur nga fëmijët në ambientet e xhamisë, u publikuan në fillim të muajit nga e përjavshmja e qendrës së majtë ”Falter” dhe kanë prekur gjerësisht klasën politike austriake.
Fotot tregojnë djemtë e rinj të maskuar dhe të vendosur në radhë duke bërë përshëndetje ushtarake dhe duke valëvitur flamujt turq, para një publiku fëmijësh.
Xhamia e përfshirë menaxhohet nga Unioni Islamik turk i Austrisë (ATIB), i lidhur drejtpërdrejt me Drejtorinë turke të Çështjeve Fetare./ /ec/ a.jor.























