Italia gjithmonë në krah të Kosovës

Prishtinë, 5 Qershor/ATSH/.- “Ende i kam në mendje fjalët tuaja në funeralin e Presidentit Rugova: ai vdiq pa e parë të realizuar ëndrrën e tij, Kosovën e çliruar dhe të pavarur”, i tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli ish Kryeministrit italian të kohës së luftës së Kosovës, Massimo D’Alema.

D’Alema, e falënderoi kryediplomatin kosovar për mikpritjen dhe i tha se “fati e ka dashur, që ai të jetë protagonist në dy ngjarje të rëndësishme të historisë së Kosovës- lufta për çlirimin e saj dhe si ministër i jashtëm drejtoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kur u mor në shqyrtim hipoteza e pavarësisë së saj”.

Ministri Pacolli kujtoi momentet e organizimit të fushatës mediatike kundër pastrimit etnik serb, në vitin 1999 apo dhe ndihmës humanitare për kampet e të shpërngulurve në Shqipëri, në Mal të Zi, etj.

Ish kryeministri D’Alema vlerësoi progresin e Kosovës në vitet e fundit.

Midis dy politikanëve më pas u diskutua për bashkëpunimin e Kosovës me Italinë dhe rrugët e forcimit të këtij bashkëpunimi, duke konsideruar “emrin e mirë të Italisë, të shoqërisë, të institucioneve, të kontingjentit italian brenda KFOR-it, tek popullsia civile, etj.”

Duke diskutuar për integrimin ndërkombëtar të Kosovës, ish-kryeministri D’Alema tha se “shumë hije të së kaluarës do të zhduken me një marrëveshje të drejtë të Kosovës me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.”

Më pas, ministri Pacolli dhe ish-kryeministri italian D’Alema përshkruan shëtitoren “Nënë Tereza”, në këmbë.

Ish-kryeministri dhe ministri i jashtëm i Italisë, Massimo D’Alema po qëndron sot dhe nesër në Kosovë, me ftesë të kryediplomatit të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Ai konsiderohet si një nga politikanët më jetëgjatë në Itali: afro 30 vjet deputet, drejtues i një partie të rëndësishme dhe sot është konsulent ndërkombëtar i profilit të lartë. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.