Pse nuk janë prekur depozitat nga zhvlerësimi i euros

TIRANË, 5 qershor /ATSH/-Depozitat e qytetarëve nuk janë prekur nga zhvlerësimi i euros.

Pohimi erdhi nga deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli në komisionin parlamentar të Ekonomisë, në përgjigje të shqetësimit që ngriti deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi, i cili tha se, zhvlerësimi i euros po sjell humbje të mëdha në sektorin e prodhues, eksportues, fasoneri, turizëm, bujqësi. Ndërsa 200 milionë euro , siç tha ai, sipas BSH llogaritet demi në depozitat e qytetarëve.

Deputeti Angjeli theksoi se “zhvlerësimi i monedhës europiane mund të prekë problemin e punësimit, të eksporteve, në dogana apo edhe në ritmet e rritjes ekonomike, por nuk është aspak e vërtetë që depozituesit kanë humbur 200 milionë euro “.

“Ju them me përgjegjësi”, vijoi Angjeli, “se nga verifikimi që kam bërë, depozitat e qytetarëve nuk kanë lëvizur fare në bankat e nivelit të dytë. Janë ashtu siç kanë qenë, për këtë kam pyetur edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”, tha ai.

Deputeti socialist u bëri apel politikanëve dhe deputetëve të opozitës, të jenë të kujdesshëm dhe të mos hapin parulla që janë me efekt të madh psikologjik.

“Pa dyshim që Banka Qendrore ka në objektiv kryesor të saj ruajtjen dhe stabilitetin e çmimeve ndaj programin për deeuroizimin duhet ta shohë në kuadër të  fenomenit të kursit të këmbimit”, theksoi Angjeli.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe, duke marrë fjalën bëri me dije se, janë bërë gati procedurat për të thirrur në komision dhe për të diskutuar mbi këto çështje ministrin e Financave dhe të Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Guvernatorin e BSH-së, Gent Sejko.

Braçe i bëri apel deputetit demokrat Bumçi, që mund të thotë pa problem çdo gjë në emër të tij. “Por kur i referoheni BSH-së do të duhet të citoni në mënyrë korrekte me dokumente zyrtarë, të cilit i referoheni , me qëllim që të mos shkaktoni atë që shumë kush e kërkon në të tilla situata korrekte, turbulencë dhe spekullim”, tha ai.

Edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku u shpreh se nuk ka ndodhur asnjë herë më parë ky fenomen në ekonominë shqiptare. “Ky fenomen nuk është krijuar nga paniku i opozitës apo nga paniku i qytetarëve”, tha Tabaku ndërsa kërkoi shpjegime.

Më pas deputetët e Partisë Demokratike kanë braktisur mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.