Bashkëpunimi polici-komunitet, me rezultate konkrete në Elbasan

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ – Në qarkun e Elbasanit, këtë vit është ulur ndjeshëm numri i veprave penale, vjedhjes së automjeteve dhe nuk shënohet asnjë rast i vjedhjes me dhunë.

Kështu u shpreh Besfort Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm të shtunën gjatë turit të llogaridhënies në qytetin e Elbasanit, ku ndër të tjera theksoi se, Drejtoria Rajonale e Policisë në Elbasan ka në vëmendje forcimin e masave për parandalimin e veprave penale të vjedhjes së banesave dhe lokaleve, duke rritur bashkëpunimin edhe me qytetarët.

“Për të rritur dhe garantuar sigurinë publike, ne po ndërmarrim trajnime që i mundësojnë çdo punonjësi të policisë të njohë komunitetin e zonës dhe çdo problem të tyre me qëllim ndërhyrjen dhe zgjidhjen e tyre”, – tha Lamallari.

“Rritje a besimit të komunitetit dhe qytetarëve ndaj Policisë së Shtetit, për më shumë shërbime cilësore është objektivi ynë”, – theksoi zv.ministri i Brendshëm.

Gjatë fjalës së tij, Lamallari, u ndal në rritjen e bashkëpunimit me qytetarët në drejtim të raportimit të dhunës në familje, çka tregon për një ndërgjegjësim të komunitetit në denoncimet e këtyre rasteve.

Ndërsa, sa i takon konflikteve për pronën që gjenerojnë edhe krime kundër personit, adresimi i tyre kërkon një bashkëpunim edhe me institucionet e tjera si Hipoteka, ALUIZNI, etj, evidentoi Lamallari.

“Zotimi i qeverisë për të hequr Shqipërinë një herë e përgjithmonë nga harta e kultivuesit të kanabizimit, sot në qarkun e Elbasanit është realitet. Nuk ka pasur asnjë rast të vetëm këtë vit”, – tha zv.ministri i Brendshëm.

Sipas tij, risia në punën për sigurinë publike qëndron në faktin e krijimit të “Zonës Policore” ku veprojnë të ndërlidhura me njëra-tjetrën të gjitha hallkat e policisë.

“Policia e Elbasanit po punon për rritjen e besimit dhe sigurisë”, – tha ai, ndërsa vuri në dukje se, nuk ishte rastësi që në Elbasan startoi ‘Forumi për Sigurinë Publike’, që i mundëson çdo punonjësi të policisë të njohë problemet e komunitetit e t’u shërbejë atyre për çdo rast”, – deklaroi Lamallari.

/e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.