Investime në Kombinat, ndërtimi i Unazës deri te sheshi “Shqiponja” dhe aksi Kashar-Rrogozhinë

TIRANE, 2 qershor/ATSH/- Kombinati ishte ndalesa e radhës e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në vijim të turit të dëgjesave publike në njësitë administrative të kryeqytetit.

I shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe kryetarja e Partisë Socialiste për Tiranën, Blerina Gjylameti, Veliaj prezantoi disa nga ndërhyrjet që janë parashikuar për Kombinatin, në rrugë, në çerdhe dhe shkolla. 

“Më vjen mirë që disa gjëra i kemi prekur që në fillim, si rregullimi i çerdheve dhe kopshteve. Kemi ndërtuar shkollën e re ‘Betim Muço’ dhe kemi në plan të ndërtojmë edhe një tjetër te zona e ‘Astirit’. Gjithashtu, ju falenderoj për mirëkuptimin sepse po punojmë te blloku i ‘Misto Mames’, e po ashtu edhe zona te ‘Musine Kokalari’ po bëjmë bllokun tjetër, të cilat do t’i përfundojmë brenda verës”, – deklaroi kryetari Veliaj. 

Ai u ndal edhe te çështja e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, të cilat do e afrojnë vendin tonë më pranë familjes europiane.

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve për arritjen e këtij qëllimi madhor dhe theksoi se, “… t’i thuash popullit që unë nuk e dua Europën meqë qeveris Edi Rama dhe Partia Socialiste, është tradhëti kombëtare”. “Ata janë duke bërë një tradhëti kombëtare, duke sharë vendin kudo jashtë. Ju e dini fare mirë se ka forca ekstremiste edhe në Holandë, në Francë, kurse Anglinë sapo e nxorrën nga Bashkimi Europian. Shumë prej këtyre deputetëve të huaj, kërkojnë një sebep, t’u vijë një shqiptar i opozitës e t’u japë një arsye që ata të votojnë kundra nesh. Kjo është tradhti kombëtare”, – deklaroi ai. 

Kryebashkiaku shprehu bindjen se drejtimin europian dhe shpejtësinë që duan shqiptarët, e ofron vetëm Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë.

“Një gjë nuk ka dyshim: Vetëm Partia Socialiste e çon Shqipërinë në Europë. Nuk ka diskutim për këtë. A mundet që të ecim më shpejt? Patjetër, mund të kalojmë nga marshi i katërt, në të pestin. A ka mundësi t’i bëjmë gjërat me më shumë cilësi? Patjetër, prandaj jemi këtu sot, të marrim vërejtje konkrete. Drejtimin europian dhe shpejtësinë që duan shqiptarët, cilësinë e qeverisjes, e ofron vetëm Edi Rama dhe Partia Socialiste”, – nënvizoi Veliaj. 

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se “Kombinati” do të njohë një sërë investimesh të rëndësishme, si përfundimi i pjesës së mbetur të Unazës së Tiranës për të dalë në sheshin “Shqiponja”, si dhe ndërtimi i rrugës Kashar-Rrogozhinë. 

“Shumë shpejt do të fillojmë edhe pjesën e mbetur të Unazës së Tiranës, për të dalë te sheshi ‘Shqiponja’. Një investim i rëndësishëm që do të shkojë rreth 60 milionë euro për të lehtësuar trafikun. Jemi duke diskutuar edhe me partnerë privatë për të bërë rrugën nga Kashari në Rrogozhinë”, – u shpreh Gjiknuri, ndërsa lajmëroi një investim të rëndësishëm edhe në energji.

“Qeveria ka bërë ndërhyrjet e saj edhe në infrastrukturën energjetike. Këtu kemi bërë shumë investime në energji dhe së shpejti fillojmë një investim shumë të rëndësishëm prej 10 milionë eurosh për zonën e ‘Kombinatit’. Është një nënstacion i ri elektrik dhe një pjesë e rrjetit elektrik, i cili do të rinovohet totalisht”, – tha Gjiknuri.

Kryetarja e PS për Tiranën, Blerina Gjylameti vlerësoi reformën e ndërmarrë për t’i rikthyer besimin shqiptarëve tek drejtësia. Gjylameti shprehu bindjen e plotë se kjo reformë do të mund të çlirohet nga marrja peng nga ata që çdo gjë e kanë bërë nisur nga interesat personale, dhe jo për të dhënë drejtësi.

“Një reformë të cilën të gjithë bashkë e kemi pritur, për të patur drejtësi, jo më sipas xhepit, por drejtësi sipas drejtësisë. Sot jemi të gjithë koshientë se çfarë ndodh me një pallat të drejtësisë, i cili çdo ditë e më shumë po lirohet nga ata të cilët e kanë mbajtur peng, që çdo gjë e kanë bërë për interesa personale dhe asnjëherë për t’u dhënë drejtësi atyre që e meritojnë atë”, – u shpreh Gjylameti. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.