TIRANË, 1 qershor/ATSH/ – “Përgjegjësia e kësaj qeverie është e madhe për t’i shërbyer njëlloj, të majtëve dhe të djathtëve”.
Kështu deklaroi sot nga Burreli, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në vijim të turit të saj të llogaridhënies publike.
“Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe për një qeverisje që sukseset mund t’i mbajë vetë, por ama dështimet nuk ka me kë t’i ndajë dhe përgjegjësia në këtë kuptim është shumë e madhe. Kemi përgjegjësi për t’i shërbyer të gjithëve njëlloj, majtas apo djathtas, por edhe duke pasur parasysh që si një qeveri, ose si një mazhorancë që sot qeveris e vetme, përgjegjësia është shumë e madhe për të justifikuar besimin e madh që na është dhënë dhe për të shpërblyer me punë, me aftësi dhe përgjegjshmëri gjithë këtë besim që kemi marrë nga pjesa dërrmuese e qytetarëve në të gjithë Shqipërinë”, – tha ajo.
Duke qenë që na keni votuar në një qark që është relativisht i djathtë, vijoi Xhaçka, “kjo për ne ka qenë një përgjegjësi shumë e posaçme që, këtu në Mat, në gjithë qarkun e Dibrës në veçanti, vëmendja dhe kujdesi të jenë më të mëdha”.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e Burrelit, ministrja e Mbrojtjes u shpreh se “ne kemi ardhur në pushtet duke premtuar që gjërat e vjetra të të shërbyerit do t’i shfarrosnim jo përkundrejt parave, jo përkundrejt tarafit, jo përkundrejt militantizmit, por përkundrejt meritës, nevojës, duke respektuar dhe ndihmuar gjithkënd që ka nevojë dhe duke nxitur gjithkënd që është i aftë për të na dhënë të gjithëve diçka”.
“Jemi absolutisht shumë të angazhuar paçka se nuk është e lehtë”, – tha ajo.
Xhaçka theksoi faktin se në këto 4 vite, qeveria ka bërë të mundur një mirëmenaxhim të financave publike, duke larë borxhet dhe duke krijuar mundësitë që sot të ketë më shumë investime. Por, ministrja theksoi rëndësinë që ka fakti se edhe pushteti vendor duhet të bëjë punën e tij, me përgjegjësi.
“Nëse bashkia do ta kishte bërë punën e saj mirë, nuk do të ishte justifikuar sot me buxhetin e saj të kufizuar, por do të kishte hartuar projekte, siç bëjnë gjithë bashkitë e tjera për më shumë shkolla, për më shumë kopshte, për më shumë rrugë rurale, më shumë ujësjellësa, më shumë kanale vaditës, më shumë mundësi që fillojnë këtu në qendër të bashkisë dhe e çojnë zhvillimin deri në periferi edhe në njësitë e tjera administrative që janë më të largëta, më të izoluara, më të vështira”, – tha ministrja.
Fatkeqësisht, sot, sipas saj, nga bashkia kemi 0 projekte për shkolla dhe për kopshte. “Kemi 0 projekte për rrugë, kemi 0 projekte për atë që është tagri i bashkisë dhe kjo na vë në vështirësi shumë të madhe përballë jush, sepse jam e sigurt që një pjesë të madhe të problematikave që do të ngrini këtu kanë varësi nga puna e përditshme e bashkisë, e cila prek gjithsecilin prej jush më shumë nga çfarë e prek puna e qeverisë”, – shtoi Xhaçka.
Edhe gjatë bashkëbisedimeve me banorë të njësive administrative në Macukull e Derjan, ministrja Xhaçka nënvizoi se kërkesat e banorëve për rrugë dhe ujë janë disa shqetësime, të cilat duhet të ishin zgjidhur me kohë. Ministrja Xhaçka, gjatë bashkëbisedimit në Derjan, mori shembull punën e bërë nga bashkia e Tiranës, për të rikonstruktuar kopshte e çerdhe.
“Nuk duhen gjithmonë para për të zgjidhur një problem, duhet vullnet, duhet këmbëngulje edhe duhet ndonjëherë të jemi edhe kreativë për të bërë bashkë të gjithë atë që duan për të zgjidhur një problem. Dhe e di çfarë dua të them me këtë, bashkia e Tiranës nuk i kishte gjithë ato para për të bërë gjithë kopshtet edhe çerdhet e Tiranës, po nuk i bëri me paratë e buxheti të shtetit, i bëri me sponsor, gjeti njerëz, gjeti biznese, të cilët me ndjeshmëri për fëmijët që po ndihmonin, me ndjeshmëri për punën që po bënin, investuan nga xhepi i tyre, nga biznesi i tyre”, – u shpreh ministrja. /m.m//r.e/



















