TIRANË, 1 qershor/ATSH/ – Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi të premten se deri tani janë 667 mijë të punësuar nga të cilat 240 mijë vende të reja pune janë krijuar në 5 vitet e fundit, si rezultat i zhvillimit ekonomik dhe patjetër të formalizimit.
Në fjalën e tij në punimet e Konferencës Kombëtare mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Politikat e Punësimit, ministri Ahmetaj theksoi se “qeveria ndërmori reforma të rëndësishme, që e kthyen Shqipërinë në shtratin e ekonomisë të qëndrueshme dhe me punësim”.
“Mos harroni që kur morëm detyrën borderoja në tatime numëronte rreth 425-430 mijë të punësuar. Sot që flasim janë mbi 667 mijë të punësuar, ose mbi 240 mijë vende të reja pune, si rezultat i zhvillimit ekonomik e patjetër të formalizimit”.
Duke folur për taksën progresive të cilën e cilësoi shumë të rëndësishme, Ahmetaj tha se “kjo taksë e çliroi punësimin”. Sipas tij, përmes taksës progresive me një lëvizje fiskale u kthyen në xhepat e shqiptarëve 100-120 milionë dollarë në vit.
“Në vitin 2012 ne prezantuam një qasje të re për politikat e zhvillimit të vendit të orientuar jo më nga konsumi i thjeshtë, remitancat dhe ndërtimi, por nga rritja e prodhimit vendas dhe promovimit të eksporteve.
Ministri Ahmetaj u shpreh se “po të kthehemi në retrospektivë, kur ne prezantuam modelin e ri ekonomik, kishte dhe ironi nga të gjitha anët, qoftë nga politika, opinionbërësit dhe skepticizëm dhe në terrenin ekonomik, dhe në në atë akademik”.
Për të mos hyrë në detaje të modelit të ri ekonomik, vijoi ai, i cili ka filluar të përmbysë dhe ka shenja së përmbysjes së logjikës së vjetër, të bazuar tek prodhimi vendas, tek rritja e eksporteve dhe rritja e eksportit të shërbimeve duke iu referuar turizmit, por jo vetëm, ka dhënë ato rezultate që ne sot i shohim në shifra dhe që qytetarët patjetër i prekin”.
“Të gjitha arritjet që ne i përmendim në shifra nuk janë të mjaftueshme, por duhet të dimë se çfarë lamë pas, ku lamë momentin e krizës greke, që besoj se këtu ka njerëz që kanë punuar për ta frenuar atë krizë në Shqipëri”, – tha Ahmetaj.
Ministri Ahmetaj, vuri në dukje se fasoni është një sektor që sjell vlerë të shtuar jo vetëm në ekonomi, por edhe në punësim./k.s/ /a.g/























