TIRANE, 31 maj/ATSH/ – Një grup studentësh gjermanë, francezë dhe shqiptarë vizituan portin e Durrësit, në kuadër të projektit “Ideas and Action for Europe: Energy and Environment in the 21st Century”.
Veprimtaria është organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me mbështetjen e “Centre International de Formation Europennee” dhe “Franco-German Youth Office”.
Për më shumë se një orë Blerina Hasani, drejtore e Mjedisit, Sigurimit teknik, Mbrojtjes së shëndetit dhe Departamentit të Emergjencave në APD si dhe shefi i sektorit të Promocionit, Arben Xhemali u bënë të njohur të pranishmëve në Sallën e Trajnimeve jo vetëm funksionimin e portit, por edhe projektet e afërta në hapësirën portuale.
Studentët shqiptarë dhe të huaj, mjaft të interesuar për zhvillimet e portit më të madh të vendit tonë, kërkuan më shumë informacion, veçanërisht për kushtet dhe politikat mjedisore që aplikohen në territorin e tij.
Më pas të rinjtë u shoqëruan në Terminalin e Mallrave Gjenerale, ku panë nga afër proceset e përpunimit të anijeve.
24 të rinjtë nga Gjermania, Franca dhe Shqipëria kanë në fokusin e vizitës së tyre në vendin tonë çështjet mbi energjinë, mjedisin dhe integrimin europian. /e.malaj/ /a.g/


































