TIRANË, 30 maj/ATSH/-Prej ditësh UKT me mbështetjen e Policisë së Shtetit, ka nisur një aksion kontrollesh mbi botet e ujit që qarkullojnë në Tiranë.
Pas vëzhgimeve të kryera në zonën e Lanabregasit, ku edhe dyshohej se kryhet mbushja e këtyre boteve, u zbuluan vendet ekzakte ku ndodh procesi i mbushjes së tyre. Në mënyrë të paligjshme këta tregtues ndërhyjnë në linja kryesore të transmetimit të ujit.
Përmes këtyre linjave uji drejtohet për në depot e ujësjellësit të Tiranës për tu trajtuar sipas të gjitha parametrave dhe specifikave të përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 379 dt.25.05.2016. Pra, uji i vjedhur duke dëmtuar këto linja, është ende i patrajtuar.
Përmes njoftimit zyrtar të dërguar nga zyra e shtypit të Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, theksohet se kushtet higjenike të këtyre auto-boteve nuk kontrollohen nga asnjë institucion i specializuar për këtë proces, duke qenë se asnjë subjekt privat nuk ka licensë për të shitur ujë me shumicë në treg.
Gjatë aksionit i cili vijon 24 orë pa ndalesë, janë konstatuar 2 pika mbushje përgjatë tubacionit kryesor, pozicionuar thellë në pyll, si dhe janë shoqëruar 5 drejtues auto-botesh të cilët nuk ishin të pajisur me leje dhe licensa për tregtim uji me shumicë. UKT i bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregohen të kujdesshëm, duke mos blerë nga subjekte të palicensuara të cilët tregtojnë ujë të patrajtuar dhe jashtë standardit.
z.tosku/ /a.g/























