Peleshi: Qumështi vendas është i sigurt

Peleshi: Qumështi vendas është i sigurt

Peleshi: Qumështi vendas është i sigurthttps://ata.gov.al/2018/05/29/peleshi-qumeshti-vendas-eshte-i-sigurt/Ministri deklaroi se, “prodhimi shqiptar është shumë delikat, por unë dua t’i garantoj të gjithë prodhuesit dhe gjithë konsumatorët shqiptarë qe ne jemi shumë shpejt në standardin e sigurisë ushqimore që përkthehet me këto fjalë: Një produkt shqiptar qumësht, nënprodukte qumështi dhe ushqime të tjera, të cilat tregtohen në subjekte të liçensuara markete dhe supermarkete, janë ushqime të sigurta dhe të kontrolluara me një protokoll kontrolli të vazhdueshëm nga AKU- ja”.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 29.05.2018

TIRANË, 29 maj /ATSH/-Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, garantoi konsumatorët shqiptarë, se çdo produkt vendas i tregtuar në subjekte të licencuara është i sigurt.  

I pranishëm në takimin e zhvilluar sot, në dikasterin e Bujqësisë me operatorët e përpunimit të industrisë së qumështit dhe nënprodukteve të tij, ministri Peleshi u shpreh i kënaqur nga reagimi që ka treguar ky sektor, për përforcimin e masave në fushën e sigurisë ushqimore, duke u vetëkontrolluar.

“Unë jam i kënaqur me shifrat që kam marrë nga AKU –ja lidhur me këto dy – tre muaj vetëkontrolli. Ka qenë një reagim i mirë, pothuajse 50 % nga 320 subjekte janë përgjigjur duke bërë vetëkontrollin, duke plotësuar pyetësorët në mënyrë shumë të detajuar. Janë bërë 106 kontrolle, janë mbyllur 11 subjekte, por ndërkohë pjesa më e madhe e tyre, rreth 85% e subjekteve, kanë dalë nga kontrolli konform standardeve tona dhe kjo ka ardhur falë investimeve dhe rritjes së standardit që ka bërë sektori në përgjigje të sensibilizimit të filluar që para tre muajve.” … “ Aktualisht me iniciativën e tyre 19 punishte janë vetëmbyllur dhe  po i nënshtrohen rikonstruksionit”, tha ministri Peleshi.

Ministri deklaroi se, “prodhimi shqiptar është shumë delikat, por unë dua t’i garantoj të gjithë prodhuesit dhe gjithë konsumatorët shqiptarë qe ne jemi shumë shpejt në standardin e sigurisë ushqimore që përkthehet me këto fjalë: Një produkt shqiptar qumësht, nënprodukte qumështi dhe ushqime të tjera, të cilat tregtohen në subjekte të liçensuara markete dhe supermarkete, janë ushqime të sigurta dhe të kontrolluara me një protokoll kontrolli të vazhdueshëm nga AKU- ja”.

Gjatë fjalës së tij, ministri Peleshi ka kërkuar dhe njëherë të bëjë të qartë para opinionit publik çështjen e përfolur gjatë ditëve të fundit në lidhje me alfatoksinën.

“Pra në përgjigje dhe të shumë lajmeve që në një lloj mënyre kanë tentuar ose kanë ngritur një pikëpyetje për prodhimet shqiptare, kryesisht të qumështit dhe nënprodukteve të tij, siç është aflatoksina, situata është krejt ndryshe. Të dhënat e fundit dhe të analizave të kompanive, të cilat kanë qenë në fokus të diskutimit kanë dalë shumë të mira. Ne jemi në standard shume të mirë, në nivele shumë të kënaqshme të aflatoksinës, që duhet thënë, që nuk është një gjë që ndodh njëherë dhe njëherë e mirë. Varet shumë nga ushqimi që konsumon kafsha. Në qoftë se sot ushqimi i kafshëve ka qenë i mykur, të nesërmen qumështi del me një përqindje më të lartë aflatoksine. Për këtë arsye mbahet në kontroll të vazhdueshëm nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.  Do t’ju lutesha të gjithë konsumatorëve shqiptarë që të mos i largohen prodhimit shqiptar sepse realisht jemi në nivele shumë të kënaqshme. Të gjitha analizat e vazhdueshme tregojnë që prodhuesit tanë kryesorë që tregtojnë prodhimet e tyre nëpër supermarkete dhe markete të liçensuara, janë brenda normave”, ka thënë ai. 

Në mbyllje, ministri Peleshi paralajmëroi nisjen e kontrollit dhe analizave për të gjithë produktet që janë në treg për garantimin e normave të sigurisë dhe cilësisë, duke vendosur theksin tek përdorimi në mënyrë abusive i vajit të palmës.

“Kemi disa javë që kemi paralajmëruar shtimin e kontrolleve, rritjen e vigjilencës ndaj këtyre lloj prodhimeve. Besoj që nga analizat, apo nga aksioni që fillon nga sot, në supermarket nuk do të gjejmë guximtarë të operatorëve të vegjël, e theksoj, që do të mund të nxjerrin në raftet e supermarketeve apo marketeve tona, produkte dhe nënprodukte qumështi me përmbajtje të vajit të palmës që është i palejuar.” deklaroi Peleshi. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.