GREQI – Greva e përgjithshme paralizon transportin

ATHINË, 29 maj /ATSH-AFP/ – Një grevë e përgjithshme e shoqëruar me manifestime kundër vazhdimit të masave shtrënguese në Greqi do të bllokojë nesër sektorin e transporteve, veçanërisht atë ajror, në një kohë që vendi po përballet që prej tetë vitesh me një krizë ekonomike dhe sociale.

Mobilizimi ndodh ndërkohë që vendi do të rikthehet në muajin gusht në tregjet financiare, në përfundim të një plani të tretë kredish që i janë dhënë nga BE dhe FMN në këmbim të masave shtrënguese, të pazakonta në zonën euro.

Nën sloganet “Kjo mjafton” dhe “Stop sakrificave të punonjësve”, sindikatat, duke përfshirë konfederatat e të sektorit privat, GSEE dhe publik, synojnë të protestojnë veçanërisht kundër zbatimit të parashikuar në vitin 2019 dhe 2020 të uljes së mëtejshme të pensioneve dhe rritjes së taksave.

Greva do të paralizojë plotësisht, në sezonin turistik, trafikun detar dhe do të shkaktojë anulime dhe riprogramime të fluturimeve, nga ndërprerja e punës së kontrollorëve ajrorë.

Greqia ka njohur që prej vitit 2010 rreth 50 greva të përgjithshme, me një mobilizim në rënie vitet e fundit, pas një vale të parë manifestimesh që shkaktuan përplasje mes manifestuesve dhe forcave të policisë./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.