Ballina Aktualitet

Platformat e punësimit, mundësi reale dhe transparente

TIRANË, 25 maj/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka vetëm një mundësi punësimi si infermier apo mësues në vend dhe kjo është përmes portaleve “Infermierë për Shqipërinë” dhe “Mësues për Shqipërinë”.

Këto dritare tha ai, ofrojnë mundësi punësimi reale sipas një sistemi transparent të vlerësimit të meritës.

“Mësuesit dhe infermierët kanë qenë “mish për top” në mbi 20 vite. Çdo parti që vinte në pushtet mund t’i largonte ata nga vendi i punës. Por portali për mësuesit dhe infermierët do të kthehet në ligj dhe si i tillë është i padiskutueshëm, duke u dhënë mësuesve dhe infermierëve sigurinë se askush nuk mund t’u cenojë atyre vendin e punës”, deklaroi kryeministri.

Nuk mund të tolerohet fakti që partitë të kenë mundësi të largojnë një infermiere me 20 vite eksperiencë nga vendi i punës, vijoi Rama, për të sjellë një tjetër që nuk bën dot një gjilpërë.

Kreu i qeverisë siguroi se do të zgjidhet edhe çështja e kontratave të përkohshme.

/a.gjonaj//e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Producenti Weinstein nën akuzë për përdhunim dhe ngacmime seksuale
Artikulli tjetërLibra falas për nxënësit nga klasa e parë në të pestën