Të shtunën në protestë kundër padrejtësisë

TIRANË, 22 maj /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke marrë shkas nga revolta e të burgosurve politikë, 45 vite më parë në burgun e Spaçit dhe 34 vite në burgun e Qafës së Barit, bënë thirrje për pjesëmarrje në protestën e së shtunës kundër padrejtësisë dhe për Shqipërinë si gjithë Europa.

Kryetari i PD-së Basha shprehet se “11 vite pas kryengritjes së Spaçit që ngjalli shpresë dhe i dha kurajo njerëzve, një tjetër akt heroik në një tjetër burg famëkeq ndodhi, Revolta e Qafë- Barit”.

“Të dënuarit politikë ngritën krye ndaj shtypësve të tyre. Falë kurajos së tyre mbinjerëzore në Qafën e Barit, si sot 34 vjet me parë u fitua për disa orë liria, për disa orë ra sistemi gjakatar komunist. Burrat që kryen këto akte heroike, janë frymëzim njerëzor dhe atdhetar. Ata kërkuan lirinë, ata u ngritën kundër padrejtësisë brenda burgjeve mizore”, shton Basha.

Më tej, kryetari i opozitës Basha, pohon se “në shembullin e guximit të tyre të pashoq, do të bashkohen të shtunën shumica e shqiptareve që e duan vendin pa krim, pa drogë, pa ministra të lidhur drejtpërdrejt me bandat, pa një kryeministër që mbron hapur të keqen”.

“Me këto shembuj të heroizmit dhe atdhedashurisë, ju ftoj të bashkohemi të shtunën me 26 maj, në orën 11 në Tiranë, të gjithë bashkë në protestën kombëtare ngrihemi kundër padrejtësisë, kundër qeverisë se lidhur me krimin, për Shqipërinë si gjithë Europa”, shprehet Basha.

Po ashtu, Basha sjellë si ilustrim dy foto, një të burgut të diktaturës dhe një foto të protestës së opozitës, si për t’i vendosur ngjarjet në fillim në vitin 1990, kohë kur ra diktatura. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.