TIRANË, 20 maj/ATSH/- Një Task Forcë e posaçme është ngritur me iniciativën e Kryeministrit Rama, e cila do të godasë rastet e korrupsionit në çdo zyrë dhe çdo sportel, për çdo punonjës të administratës publike e deri të nivelet më të larta.
Njësia administrative Qendër e Librazhdit dhe njësitë administrative 5 dhe 6 të qytetit të Elbasanit ishin etapat e radhës të turit të llogaridhënies “Puna për Shqipërinë që duam”, të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
“Bashkëbiseduam me qytetarët për çfarë kemi bërë në drejtim të investimeve në infrastrukturë, financimeve në bujqësi, procesit të legalizimeve, nxitjes së punësimit dhe një sërë reformash të tjera, ku qytetarët kërkuan të ecim më shpejt”, shprehet Gjonaj.
“Dëgjuam problemet dhe shqetësimet e tyre dhe morëm ide konkrete për zgjidhjen e disa problemeve me natyra specifike të këtyre zonave. Në fjalën time u ndala në mënyrë të veçantë në masat që po merr qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit”, vijon ajo.
“Një Task Forcë e posaçme është ngritur me iniciativën e Kryeministrit Rama, e cila do të godasë rastet e korrupsionit në çdo zyrë dhe çdo sportel, për çdo punonjës të administratës publike e deri të nivelet më të larta. Do të monitorojmë dhe inspektojmë çdo zyrë për çështjet e korrupsionit. I ftova qytetarët të bëhen pjesë aktive e kësaj nisme, duke denoncuar çdo rast kur ju kërkohet ryshfet për të marrë një shërbim, çdo rast kur nuk ju ofrohet shërbimi i parashikuar nga ligji dhe gjithashtu në çdo rast kur konstatojnë abuzim me detyrën. Për të mundësuar një komunikim sa më të drejtpërdrejtë qytetarët mund ti drejtojnë denoncimet e tyre në platformën pershqiperineqeduam.al”, thekson Gjonaj. /a.g/





































