Ballina Ekonomi

Edukimi fiskal, DPT, pjesë e programit në disa shkolla 9-vjeçare të Tiranës

TIRANË, 20 maj/ATSH/- Për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ndërgjegjësimi i publikut mbi çështjet fiskale është një nga prioritetet e punës së saj.

Në këtë kuadër, ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Adminsitratën Tatimore dhe ministrinë e Arsimit dhe Sportit, organizuan një program të dedikuar për edukimin fiskal, në shkollat e arsimit 9-vjeçar në kryeqytet, “Emin Duraku”, “Edith Durham”, “1 Maji”, “Mihal Grameno”, “Hasan Vogli”, “Vasil Shanto”, “Jeronim De Rada”, “Pjetër Budi” dhe “Fan Noli”.

Në dy klasa paralele për çdo vit, u realizuan orë mësimi të hapura me grupmosha nga 10 – 15 vjeç.

Në orët e edukimit fiskal, nxënësit, në mënyrë aktive u njohën me nocionet bazë mbi tatimet dhe taksat. Ky program synon inkurajimin e qytetarisë, solidaritetit, pjesëmarrjes dhe vetëdijes mbi të drejtat dhe detyrimet, si dhe rritjen e kulturës fiskale tek moshat e reja.

Pagesa e taksave shpesh konsiderohet si një detyrim më shumë ndaj shtetit sesa një detyrë qytetare në të mirë të të gjithëve. Sfida e këtij programi është braktisja e sjelljeve detyruese, shtrënguese, si dhe ndërtimi i një marrëdhënie bashkëpunimi midis shtetit dhe individit.

Nga ana e nxënësve pati mjaft interes në lidhje me tema të ndryshime, si mosdhënia e kuponit tatimor, sidomos nga bizneset përreth shkollave, besueshmëria në administrimin e tatimeve dhe taksave nga institucionet përkatëse, apo edhe çështje lidhur me Informalitetin.

Kultura fiskale është e rëndësishme për të gjithë qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, të cilët janë potenciali i së ardhmes.

/a.gjonaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKërkesa për ID-në, Nikolla: Komunikim i ri me prindërit me anë të teknologjisë
Artikulli tjetërFoto/FA largon 30 tonë mbetje nga uzina e baterive në Gramsh