TIRANË, 18 Maj/ATSH-Maela Marini/ – “Nuk mendoj që ne do të kthehemi mbrapa, por mendoj se do të vazhdojmë përpara me procesin e integrimit”.
Kështu deklaroi sot, pas kthimit nga Samiti i Sofjes, Kryeministri Edi Rama, i cili siguroi se do të vazhdoj të jetë këmbëngulës për të bindur të gjitha vendet anëtare të BE-së, për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
“Ne kemi hedhur një hap që është pa kthim mbrapa. Kam besim se në qershor ne nuk do të zmbrapsemi forcërisht me një vendim që do të jetë pa dritë. Se si do të jetë ky vendim dhe se në çfarë mënyre ne do të vazhdojmë përpara në këtë rrugë që kemi hyrë është diçka që do ta shohim në vijim”, tha Rama.

Ai theksoi se “parlamentarët europianë e çmojnë progresin në Shqipëri, janë shumë respektues për përpjekjen e qeverisë dhe kanë të gjithë durimin që të më dëgjojnë mua si përfaqësues i këtij vendi”.
“Unë do të vazhdoj të këmbëngul sepse nuk kemi asnjë opsion tjetër përveçse të këmbëngulim dhe të bëhemi të bezdisshëm që të merret ky vendim”, tha Rama.
Ndërkohë, Kryeministri theksoi se, “balta e hedhur nga opozita nuk është se përcakton vendimin e Gjermanisë, të Francës apo BE-së”. Por sipas tij, balta ushqen ata që brenda këtyre vendeve janë në parlamente, zyra dhe janë kundër, jo Shqipërisë, por kundër zgjerimit të BE-së. “Ata nuk kanë as kohë dhe as dëshirë që kur marrin një audio dhe video nga SHQUP-i të thellohen më shumë. Pra është një pengesë më shumë që Shqipëria nuk e meriton”, tha Rama.
“Nëse opozita do të bënte të kundërtën, pra nëse do të ishte e angazhuar njësoj si ne dhe do të shfrytëzonte kanalet e veta për të thënë këtë që ne themi, që për Shqipërinë duhet të çelen negociatat se ka bërë këtë progres, nuk do të ishte se do të ndryshonte qëndrimin e BE-së, por do të rriste energjinë pozitive dhe karakterin komunikues”, tha Rama.
Sipas Kreut të Qeverisë, “kjo është opozita e parë në historinë e procesit të integrimit të vendeve ish-komuniste që shfaqet në krahun e atyre që janë kundër integrimit”.











