Ballina Aktualitet

Opozita baltë mbi Shqipërinë

TIRANË, 16 maj/ATSH-Maela Marini/ – Opozita po ndërmerr një ofensivë balte që synon të asfiksojë shpresën e Shqipërisë, duke minuar dhe hedhur në erë negociatat me Bashkimin Europian.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Kryeministri Edi Rama u ndal te roli që po luan opozita kundër interesave të vendit, sa i takon procesit të çeljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Ne duhet të përballemi me një sfidë diplomatike, në kushtet kur erërat kundër zgjerimit në disa vende të Europës janë në disfavorin tonë, por edhe duhet të ndeshemi me murin qorr të baltës që opozita e këtushme i ngre Shqipërisë në këtë rrugë, duke mos lënë pabesi pa bërë që të sabotojë këtë përpjekje të krejt shoqërisë sonë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “radio-SHQUPI e ka shpërndarë dje materialin audio si “Breaking News” në çdo adresë e-mail-i në Europë, në çdo adresë parlamentarësh, ministrish të Jashtme e qeveritarësh.

Një tjetër overdozë balte, sipas Ramës, për të rekrutuar dhe mbajtur të motivuar deputetë në Europë që t’i bien ndesh çeljes së negociatave për Shqipërinë.

“Kush mund t’ia bëjë këtë vendit të vet? Askush nuk ia ka bërë, nuk ka ndodhur në asnjë vend edhe kur ka pasur mbi 1 mijë probleme në krim, apo korrupsion dhe që ka qenë në proces negociatash. E kundërta ka qenë e vërtetë”, – tha Rama, duke sjellë rastin e bashkëpunimit të partive politike në Bullgari për çështjet e integrimit, pavarësisht konflikteve të brendshme politike.

Sipas tij, “… është rast unikal dhe opozita e vetme në gjithë botën e dalë nga komunizimi, që bën këtë, që asnjë armik nuk do t’ia bënte kaq me zell dhe pasion Shqipërisë”.

“Ata thonë se rrëzojnë qeverinë e krimit e të drogës, por në fakt po pengojnë dhe rrëzojnë vetë Shqipërinë në këto metra të fundit të një rrugëtimi të gjatë drejt BE-së. Janë sulur me tërbim në një ofensivë balte që synon të asfiksojë shpresën e Shqipërisë, duke minuar dhe hedhur në erë negociatat, me shpresën se do t’i kthejnë njerëzit kundër nesh dhe do të kthehen në pushtet me dhunë për të marrë peng drejtësinë”, – tha Rama.

Rama tha se ata e dinë mirë se “me çeljen e negociatave, drejtësia shqiptare bëhet një problem i madh për ta, pasi hyn në çeljen e kapakëve për lidhjet reale të politikës me aktivitetet kriminale, që nga pastrimi i parave me ndihmën e qeverisë dhe kuintalët e drogës të fshehur në banane me ndihmën e prokurorisë”.

“Haraçin që po i punojnë Shqipërisë ata do ta paguajnë një më një. Edhe balta e tyre e bën punën e saj në mjegullën e mungesës së drejtësisë”, – tha Rama.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeseli: Shoqëria civile, partner produktiv i institucioneve publike
Artikulli tjetërAsnjë kërkesë nga autoritetet italiane për ekstradimin e Agron Xhafaj