LONDËR – Libër i Bardhë për periudhën postBrexit

LONDËR, 16 maj /ATSH-AFP/ – Qeveria britanike, e kritikuar për kërkesat e saj përsa i përket daljes nga Bashkimi Europian, në prag të samitit europian në qershor njoftoi sot se do të publikonte një Libër të Bardhë për të prezantuar ambiciet për periudhën pas Brexit.

“Ka ardhur koha që të prezantojmë qëllimet tona me më shumë detaje për ato që ne kemi bërë deri tani”, theksoi për BBC, David Lidington, sekretari i Shtetit në kabinetin e kryeministres, Theresa May.

“Ka shumë punë në shërbime të ndryshme qeveritare për të konkretizuar vizionin e kryeministres për një marrëdhënie të thellë, të gjatë dhe speciale mes nesh dhe Bashkimit Europian, pas largimit tonë nga BE. Kjo është ajo që dëshirojmë të shpjegojmë me detaje”, shtoi ai.

“Ky dokument do të prezantojë çfarë do të ndryshojë dhe çfarë do të jetë ndryshe pas daljes nga BE”, deklaroi ministri për Brexit, David Davis gjatë një takimi ndërministror për Brexit, sipas deklaratave të raportuara nga agjencia “Press Association”.

“Ky do të jetë publikimi ynë më i rëndësishëm për BE-në që prej referendumit”, theksoi ai për kolegët e tij.

“Ky libër do të prezantojë ambicien tonë për marrëdhëniet e ardhshme të Britanisë së Madhe me Bashkimin Europian, (…) vizionin tonë për rolin e ardhshëm të Britanisë së Madhe në botë.

Sipas BBC, ky Libër i Bardhë, prej më shumë se 100 faqesh, do të publikohet para samitit europian të 28-29 qershorit, ndërkohë që Brukseli ka treguar shenja të padurimit kur bëhet fjalë për avancimin e negociatave./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.