PEKIN, 14 maj /ATSH-AFP/ – Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Mohammad Javad Zarif, i cili filloi dje në Pekin një turne diplomatik maratonë, shpreson të marrë një qasje më të qartë për marrëveshjen bërthamore pas tërheqjes së SHBA-së duke u bërë thirrje europianëve për garanci në ruajtjen e interesave të Teheranit.
Pas kryeqytetit kinez, Zarif mbërriti sot në Moskë dhe më pas do vijojë turneun në Bruksel ku do të takohet me homologët francez, gjerman dhe britanik.
Ministri iranian shfaqi një optimizëm të rezervuar përsa i përket mundësive për shpëtimin e kësaj marrëveshjeje historike që parashikon një heqje të sanksioneve kundër vendit të tij në këmbim të angazhimit për të mos u pajisur me armë bërthamore.
“Pas vendimit të presidentit Donald Trump për të tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore iraniane dhe për të vendosur sanksione, shkaku themelor i këtij turneu është fillimi i dialogut me vendet që kanë mbetur në marrëveshje”, nënvizoi Zarif pas takimit me homologun kinez, Wang Yi.
“Ne shpresojmë, që në sajë të kësaj vizite në Kinë dhe në vende të tjera, të jemi në gjendje për të vendosur për një plan të qartë për marrëveshjen”, nënvizoi ai./ /ec/ a.jor.













