TIRANË, 11 Maj/ATSH/ – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, po merr pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Vendeve të Grupit të Vishegradit dhe Vendeve të Ballkanit Perëndimor, që mbahet në Cape Sounio, Greqi, në datat 10-12 maj.
Ky takim vjen me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikolaos Kotzias dhe është vijim i takimit të parë të këtij formati, zhvilluar në Budapest në tetor të vitit të kaluar.
Diskutimet mes Ministrave do të përqendrohen në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, të ardhmes së Europës, si dhe në sfidat e sigurisë, veçanërisht ato të sektorit të energjisë.
Nëpërmjet një postimi në twitter, Bushati publikon një pamje të Tempullit të Poseidonit, poshtë të cilit janë mbledhur ministrat për këtë takim.
“Mbërritja në Sunio Greqi për Takimin e Ministrave të Jashtëm të Vendeve të Grupit të Vishegradit dhe Vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shtetet anëtare të Ballkanit dhe të BE të mbledhura nga Ministria e jashtme e Greqisë. Këtu, pikërisht poshtë Tempullit të Poseidonit, të gjithë jemi mbledhur nga mikpritësi ynë i madh, Nikos Kotzias, për të diskutuar mbi të ardhmen e Europës dhe për të përsëritur perspektivën tonë të përbashkët europiane”, shkruan Bushati.
/gj.mima/a.g/











