Lehtësi doganore për bizneset që përfitojnë statusin e operatorit ekonomik

AppleMark

TIRANË, 11 maj/ATSH/- Subjekte që do të arrijnë të marrin statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar(AEO) do të kenë lehtësi në procedurat doganore.

Gjatë një trajnimi 3 ditor, mbështetur nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) përfaqësues të administratës doganore shqiptare dhe asaj të Kosovës, janë njohur me lehtësitë që do të sjellë ky proces në thjeshtimin e procedurave doganore për biznesin.

Nëndrejtore e Përgjithshme e Doganave Shqiptare, Mirela Meko, u shpreh gjatë fjalës së saj në hapje të këtij trajnimi, se biznesi duhet të njohë dhe kuptojë rëndësinë që ka nga përfitimi i statusit të OEA-së.

Tashmë tregtia rajonale është një fakt dhe biznesi nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj këtyre lehtësive, por të njihet dhe të aplikojë për këtë status.

Meko vlerësoi gjithashtu rëndësinë që ka trajnimi dhe kualifikimi i stafit të doganave në realizimin me sukses të këtij procesi.

Administrata doganore shqiptare ka vënë në zbatim statusin OEA-ve sipas standardeve ndërkombëtare dhe për këtë qëllim është nënshkruar një marrëveshje për njohje të përbashkët me shtetet e CEFTA-s me kusht bazën ligjore dhe zbatimin në përputhje me BE-në, ku palët në CEFTA informojnë njëra-tjetrën në lidhje me identitetin e OEA-ve.

Administrata doganore shqiptare ka krijuar një strukturë të posaçme për OEA-të dhe lehtësirat doganore.

Në këtë kuadër, ka nisur një fushatë sensibilizimi për nxitjen e biznesit për të aplikuar dhe përfituar nga lehtësirat doganore.

Ndërkohë njohja e OEA-ve rajonale midis vendeve anëtare të CEFTA-s do të sjell lehtësi të madhe për operatorët që do të përfitojnë këtë status dhe shkëmbimet tregtare mes vendeve.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.