Ballina Kosova

Kosovë-Poloni, forcim të bashkëpunimit ekonomik

PRISHTINË, 11 Maj/ATSH/.- “Do të shkëmbejmë vizita dypalëshe, të forcojmë marrëdhëniet, veçanërisht ato ekonomike”, u shprehën ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe ai polak, Jacek Kaputoviç, gjatë takimit sot në Sunio të Greqisë.

Dy ministrat ndodhen në Sunio, Greqi, në kuadër të Takimit të Ministrave të Jashtëm të Vendeve të Grupit të Vishegradit dhe Vendeve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet nga 10-12 maj.

“Kosova dhe Polonia janë të gatshme të forcojnë marrëdhëniet dypalëshe. Unë do vizitoj Prishtinën dhe ju jeni të mirëpritur në Varshavë”, i tha ministri i jashtëm polak, Jacek Kaputoviç, ministrit të jashtëm të Kosovës dhe numrit dy të qeverisë, Behgjet Pacolli.

Ndërsa ministri Pacolli u shpreh se “në rastin më të parë dua të vij në Varshavë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe të forcojmë bashkëpunimin ekonomik. Ju jeni partnerët më të mirë për ne, sepse na kuptoni shumë mirë”.

Pacolli duke vlerësuar reputacionin e lartë të ndërmarrjeve polake që “ka patur rastin ta vlerësojë shumë herët”, e falënderoi homologun e tij për mbështetjen e Polonisë për Kosovën në procesin e integrimit europian.

Gjatë takimit të ngrohtë dhe miqësor u diskutua edhe për zhvillimet rajonale. I pyetur sesi e sheh përfundimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, prej homologut polak, shefi i diplomacisë kosovare tha se “Kosova është shtet i pavarur, i gjithë pranuar dhe Serbia fqinji i saj. Dialogu përfundimtar po bazohet pikërisht mbi këto premisa, sepse ne duam të ndërtojmë të ardhmen e sigurt të fëmijëve tanë”, tha Pacolli.

Ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli, gjendet në Sunio të Greqisë me ftesë të homologut të tij grek Nikos Kotzias, ku sapo nisi punimet ministeriali i Procesit të Vishegradit (Poloni, Republika Çeke, Hungari, Sllovaki), plus vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ministeriali, që po zhvillohet pak ditë para samitit të Sofies, do të fokusohet në problematikën e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe bashkëpunimit dypalësh të vendeve pjesëmarrëse. Në të marrin pjesë shumë ministra të jashtëm dhe Kosova ka konfirmuar disa takime të nivelit të lartë./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLaetitia Casta, ikona e bukurisë nga pasarela në kinema
Artikulli tjetër“Diaspora Flet” bashkon Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë