Anulim i nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale

TIRANË, 11 maj/ATSH/ – Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon anulimin e nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale.

Kryetari i grupit parlamentar, Petrit Vasili thekson se, “LSI është e gatshme të investohet me të gjithë votat e saj në Kuvend që Kodi Penal të ndryshojë në përcaktimet që janë mundësuese lehtësuese dhe alibi e pafund e trafikantëve dhe kriminelëve për këtë çështje, të investojë me votat e saj që sa më parë kjo çështje të nisë që ditën e hënë, në përputhje me objektivat e luftës që kemi për trafikun e trafikantët që janë bërë rreziku themelor për stabilitetin dhe sigurinë publike”.

“Qëndrimi i vetëm do të ishte abrogimi i menjëhershëm i këtij neni, të ulemi në tavolinë dhe të bëjmë ripërcaktime të reja të cilat mbyllin dritaret dhe alibitë në kodin penal të Shqipërisë për kriminelët dhe trafikantët dhe e kthejnë kodin për ato përcaktime që ai ka në një instrument lufte të papajtueshme me krimin e organizuar dhe trafiqet”, – theksoi Vasili.

“LSI është e gatshme të investohet me të gjitha votat në Kuvend që Kodi Penal të ndryshojë në përcaktimet që janë alibi e pafund e trafikantëve dhe kriminelëve, që kjo çështje të fillojë që nga e hëna, praktika për abrogimin e këtij neni”, – tha Vasili.

Hetimi për këtë rast, thotë Vasili, duhet të bëhet në rrugë parlamentare, por edhe nga Prokuroria dhe nëse ka përgjegjës, ata duhet të përgjigjen.

“Integriteti i vendimeve të Parlamentit është seriozisht i rrezikuar dhe këto dyshime duhet të verifikohen në dy rrugë. Në rrugën parlamentare nëpërmjet një hetimi parlamentar të hollësishëm dhe së dyti, patjetër që po dhe ndoshta e vonuar, Prokuroria duhet të fillojë çështjen për të zbardhur si qëndron e vërteta”.

“Vetëm transparenca dhe vetëm zbardhja deri në fund e kësaj çështje, e praktikave që kanë imponuar në miratimin e këtyre kodeve, praktikave, që kanë synuar nëpërmjet e-mail-eve të çuara lart e poshtë, në keqpërdorim të mirëbesimit të deputetëve dhe shndërruarjes së ndryshimeve të mëdha të kodit penal në çështje të 24 orëve të fundit, janë praktika që duhet të marrin fund, sepse përveçse janë përdorur me qëllim në shërbim të interesave të caktuara nuk kanë prodhuar asnjë tjetër”, – tha Vasili.

“E gjithë kjo praktikë negative duhet zbardhur, duhet parë në çfarë mënyre ka funksionuar çështja dhe në rast se ka përgjegjës të përgjigjen deri në fund me qëllime të caktuara”, – tha Vasili.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.