Nisin punimet në rrugën Podujevë-Prishtinë, një investim 5 milionë euro

PRISHTINË, 11 Maj/ATSH/.- Në Kosovë filloi sot puna për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën me Podujevën, me një gjatësi prej 4 kilometrash, me vlerë rreth 5 milionë euro.

Në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve në Gllamnik të Podujevës ishte i pranishëm edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili theksoi se “ky projekt do të realizohet brenda 200 ditëve”.

“Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë me projekte të tilla. Sot e kemi filluar këtu në Podujevë, javën e ardhshme do të fillojmë në Mitrovicë dhe mund të them që jam i lumtur që po zbatojmë në kohë të gjitha ato projekte që kanë fjetur për vite të tëra”, theksoi Lekaj.

Sipas tij, për zbatimin e këtij projekti nuk është bërë asgjë më parë, prandaj jam i vendosur që çdo projekt ta fillojmë dhe ta zbatojmë në kohën e duhur”.

Ministri Lekaj kërkoi nga kompania e ndërtimit që i gjithë projekti të zbatohet sipas kontratës.

“Brenda këtij viti do të vazhdojmë edhe me segmentet e tjera, sapo të përfundojnë procedurat që duhen ndjekur”, shtoi Lekaj.

Ndërsa nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari tha se “ky projekt është i rëndësishëm për qytetarët dhe vendin, sidomos për ata që jetojnë në Europë, sepse kjo është arteria kryesore që e lidhë Kosovën me vendet e tjera”./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.