TIRANE,10 Maj /ATSH/ – Specialistët dhe institucionet përkatëse për monumentet e kulturës çdo ditë po kujdesen për këto asete me vlera kulturore dhe historike të vendit tonë. Këto monumente përveç vlerave kanë dhe problematika për shkak dhe të vjetërsisë së tyre.
Për këtë arsye dhe për t’i kthyer atyre pamjen që meritojnë strukturat përkatëse kanë ndërmarrë masa që gjatë sezonit veror jo vetëm turizëm, por edhe restaurime përgjatë kësaj periudhe, pra rijetëzimi i tyre është një vlerë e shtuar për ti treguar turistëve të huaj vlerat e trashëgimisë sonë kulturore.
Tashmë, projektet e hartuara nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës për tre objektet e përfshira në kalendarin e restaurimeve të Vitit të Skënderbeut, u miratuan në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve.
Tre objektet janë, Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, Muzeu i Kastriotëve në Sinë të Dibrës, Shtëpia e Vëllezërve Frashëri, në Frashër të Përmetit dhe brenda verës fillon puna në të tre kantieret.
“Behari është kohë për turizëm, por edhe për restaurime. Ca flasin gjithë ditën e ca punojnë gjithë ditën, te këta të fundit bëjnë pjesë inxhinierët e Institutit të Monumenteve që kanë përgatitur projektet e restaurimit për 3 objektet e përfshira në kalendarin e restaurimeve të Vitit e Skënderbeut: – Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, – Muzeu i Kastriotëve në Sinë të Dibrës – Shtëpia e Vëllezërve Frashëri në Frashër të Përmetit”, deklaron ministrja e Kulturës, Mirela Mumbaro.
Ajo tha se Këshilli Kombëtar i Restaurimeve shqyrtoi e miratoi projektet dhe brenda verës fillon puna në të tre kantieret.
“Është padyshim kënaqësi për mua të ndaj me ju këto projekte. Shtëpia e Vëllezërve Frashëri në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë”, shprehet Kumbaro.
Muzeu i Kastriotëve ndodhet në fshatin Sinë të Njësisë Administrative Arras Bashkia Dibër. Muzeu ka filluar të ndërtohet në vitin 1982 dhe për herë të parë është hapur për publikun në vitin 1985.
Mungesa e mirmbajtjes së vazhdueshme si dhe shkaqet e agjentëve atmosferik përgjatë viteve kanë ndikuar në degradimin e objektit. Ndërhyrjet e parashikuara do të konsistojnë në hidroizolimin e tarracës, prishjen e degradimeve, pastrime, lyerje dhe riorganizim të ndriçimit. Gjithashtu, objekt i këtij projekti është edhe muzealizimi, riorganizimi i muzeut duke filluar që nga pajisjet përbërës të mobilimit dhe deri të elementët që do të ekspozohen dhe mënyra e ekspozimit të tyre.
Në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë ndërhyrja e parashikuar nga IMK dhe Ministria e Kulturës konsiston në punimet restauruese në monument dhe muret e qytetit Antik, ne rikonstruksionin e mbulesës, konsolidimin dhe restaurimin e pikturës murale dhe mozaikut.
Ndërsa për restaurimin “Shtëpia e Vëllezërve Frashëri”, janë parashikuar ndërhyrje në restaurimin e çatisë, dyerve dhe dritareve në përgjithësi, eleminimi i çarjeve në fasadë, restaurim të dyshemeve dhe riparime në suvatime. Gjithashtu do të bëhet sistemimi i terrenit përreth./a.a/ /a.g/






















