Inter synon një blerje të madhe sezonin e ardhshëm

TIRANË, 8 Maj/ATSH/ – Në prag të merkatos së verës, Drejtori Sportiv i Interit, Piero Ausilio ka ndezur fantazinë e tifozëve zikaltër, duke premtuar një blerje të madhe në sezonin e ardhshëm.

“Prioritet për ne është që duke respektuar disa parametra të dakordësuara me UEFA-n, të mundohemi të përfundojmë blerjen e Cancelos dhe Rafinhës, dy futbollistë që po tregojnë vlerat e tyre në skuadër ashtu si edhe shumë të tjerë. Më pas në verë do të synojmë blerjen e ndonjë emri me peshë, në moshë të re dhe pjesë e ndonjë skuadre të madhe, që do të na sillte eksperiencë dhe entuziazëm”, tha Ausilio.

“Për qëndrimin e Icardit nuk vë dorën në zjarr, por kemi edhe 3 vite kontratë dhe të dy palët duam të vazhdojmë akoma bashkëpunimin”, tha Drejtori Sportiv i Interit.

Por shumë do të varet edhe nëse Inter arrin apo jo objektivin sezonal të pjesmarrjes në
Champions League.

“Fillimisht duhet të bëjmë mirë me Sassuolon dhe të marrim maksimumin, pastaj të shkojmë në Romë dhe të përballemi me Lazion. Do të jetë një sfidë e bukur, që do të përcaktojë shumë, por që nuk vendos të ardhmen e Interit. Suning ka një projekt konkret për këtë skuadër dhe pjesëmarrja në Champions vetëm sa do të sillte ca miliona më shumë”, tha Ausilio.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.