Për herë të parë, një ligj për rininë

TIRANË, 7 maj/ATSH/- Për herë të parë Shqipëria do të ketë një ligj që do të jetë një mbështetje e madhe për të rinjtë e vendit, përmes programeve të veçanta, por jo vetëm.

Zv/ministri i Arsimit, Shpat Kolgega bëri të ditur se Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë po punon për një projektligj për të mbështetur rininë.

“Shumë shpejt do të kemi gati për herë të parë projektligjin për rininë. Besoj se për herë të parë do të kemi një ligj të mirë që do mbështesë programet rinore dhe rininë në përgjithësi”, – theksoi Kolgega gjatë llogaridhënies në qytetin e Lezhës.

Ai nënvizoi se tashmë rinia nuk është më një “shtojcë” e Ministrisë, sikurse ai e cilësoi, por një departament më vete, si vlerë funksionale e kësaj Ministrie. Kolgega tha se buxheti për rininë është dyfishuar.

“Kemi bërë një punë shumë të mirë gjatë 6 muajve  të parë. Për herë të parë departamenti i rinisë nuk është më shtojcë e Ministrisë, por rinia tashmë është një vlerë funksionale e punës së Ministrisë. Ketë vit është dyfishuar buxheti për rininë”.

Ndërkaq, ai vuri në dukje se në 6 muaj aktivitetet rinore janë rritur me 70%, ndërsa dha shifra lidhur me aktivitetet dhe të rinjtë pjesëmarrës.

“Në këto 6 muaj kemi rritur me 70% të gjitha aktivitetet rinore, 12657 të rinj që kanë marrë pjesë në rang kombetar dhe janë zhvilluar mbi 200 aktivitete kombëtare për rininë. Sipas tij, qendrat rinore në të gjithë Shqipërinë ofrojnë shërbime falas për të rinjtë, ndërsa së shpejti do të hapen edhe dy qendra të tjera rinore rajonale.

Lidhur me praktikat e punës për të rinjtë, Kolgega tha se nga 600 të rinj të cilët përfituan nga praktika, 200 prej tyre do të punësohen në administratë. /z.tosku//r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.