97% e qytetarëve me taksa më të ulta

TIRANË, 7 maj/ATSH-Maela Marini/ – Taksat janë ulur për 97% të qytetarëve shqiptarë dhe nga viti 2013 janë rritur vetëm 2 taksa, taksa për kompanitë e mëdha dhe taksa e karburantit.

“Ndryshe nga çfarë thuhet se, ne jemi më pranë të ‘mëdhenjve’ se sa ‘të vegjëlve’, ne kemi rritur taksën për kompanitë e mëdha dhe atë të karburantit. Kemi rritur taksën për të gjithë ata që kanë një rrogë që është mbi 600 mijë lekë. Për gjithë të tjerët pa përjashtim taksat janë ulur”, – tha Rama.

Infermierët, mësueset, punonjësit në shtet apo privat që kanë një rrogë më të ulët se 600 mijë lekë, sipas tij, mund ta dëshmojnë se taksat janë ulur.

Po ashtu, Rama tha se biznesit të vogël taksa i është bërë 0% deri në 5 milionë dhe u është bërë 5% në fashën 5-8 milionë, ndërkohë që e kishin 10% taksën.

“E vetmja taksë që është rritur është ajo mbi duhanin dhe ajo është shumë kollaj për ta shmangur: lër duhanin dhe e ke zero”, – tha Rama.

Lidhur me rritjen e taksës së karburantit, Kryeministri theksoi se “për karburantin është vendosur edhe nisur nga fakti se ata janë edhe ndotësit më të mëdhenj, ndërkohë që aty përfshihet edhe taksa e qarkullimit”.

“Kur filluam mandatin e parë ishim në një situatë shumë të rrezikshme financiare. Saliu thoshte ju pret skenari grek dhe e dinte se ishim të kërcënuar nga kjo mundësi, sepse kishte lënë pas një humnerë të madhe borxhesh dhe rrëmujë me financat e shtetit. Kur thirrëm FMN-në na tha: ulni rrogat dhe pensionet. Ne ishim të vendosur që të ulnim taksat mbi rrogën e atyre që e kanë më të ulët se 600 mijë lekë dhe të ulnim taksën e biznesit të vogël, ndaj preferuam të rrisim taksën e karburantit, sepse çmimi ishte në rënie në pikiatë”, – sqaroi Kryeministri.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.