TIRANË, 7 maj /ATSH/ -Melanoma është një nga llojet më të rrezikshme të kancerit të lëkurës. Ajo zhvillohet në qelizat ku prodhohet melanina, pigmenti që përcakton ngjyrën e lëkurës sonë.
Shkaku i melanomës nuk është i qartë, por ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë (UV) të diellit apo solarëve rrit shumë rrezikun e zhvillimit të këtij lloj kanceri.
Njohja e simptomave të para të këtij lloj kanceri mundëson zbulimin dhe trajtimin e tij, përpara se sëmundja të përhapet. Melanoma mund të trajtohet suksesshëm nëse zbulohet në kohë. Melanoma mund të zhvillohet në të gjithë trupin, por më shpesh ajo zhvillohet në zonat që kanë një përqindje të lartë ekspozimi në diell, si shpina, këmbët, krahët dhe fytyra.
Personat me lëkurë të errët kanë mundësi më të pakta për shfaqjen e kancerit të lëkurës, por ata përsëri preken nga dëmtimet e shkaktuara nga ekspozimi në diell, kryesisht te sytë dhe sistemi imunitar. Ndërsa personat më të rrezikuar janë ata që kanë lëkurë të bardhë, të kesh më pak pigment melaninë në lëkurë do të thotë të kesh më pak mbrojtje ndaj rrezeve UV.
– Një apo më shumë episode të djegies së lëkurës nga rrezet e diellit në fëmijërinë tuaj mund të rrisin rrezikun e melanomës në moshën adulte.
– Ekspozim të tepruar ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit, rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të lëkurës.
– Nishane të shumta, apo nishane të pazakonta në pjesë të ndryshme të trupit rrit po ashtu zhvillimin e kancerit të lëkurës.
Nëse një i afërm, prind, fëmijë apo vëlla ka patur melanomë, individi ka një mundësi më të madhe për ta zhvilluar atë.
Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të lëkurës është një mbrojtje efektive nga rrezet ultravjollcë si psh të shmanget me çdo kusht djegia nga dielli, të qëndrohet në hije nga ora 11 – 15, atëherë kur ngarkesa me rreze UV është më e madhe, të mbahen kapela, syze dielli dhe rroba të përshtatshme, të përdoret krem me faktor të lartë mbrojtës, si dhe të mos ekspozohen kurrë drejtpërdrejt në diell.
Foshnjat deri në moshën njëvjeçare ёshtё mirë të mbrohen nga dielli.
Ekspozimi i paktë ndaj rrezeve ultravjollcë është i dobishëm për njerëzit, dhe luan një rol të domosdoshëm në prodhimin e vitaminës D.
Çdo vit diagnostikohen rreth 130 000 melanoma malinje në gjithë rruzullin.
Ekspozimi i shpeshtë dhe djegiet e shpeshta të lëkurës nga dielli në fëmijëri mund të shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme, të cilat më pas mund të bëhen shkak për shfaqjen e kancerit të lëkurës. /e.malaj/ /a.g/






















