Ballina Kosova

Veseli: Rënia e Luan Haradinaj na forcoi

PRISHTINE, 6 Maj/ATSH/- Me rastin e 21 vjetorit të rënies së heroit Luan Haradinaj, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kanë bërë homazhe tek varri i Luan Haradinajt në Gllogjan.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Luan Haradinaj i takon brezit të parë të luftëtarëve që luftuan për lirin e vendit.

Ai tha se vëllau i tij, Luani ishte mbështetës për mbarëvajtjen dhe funksionimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Luan Haradinaj i cili po ashtu ishte nga brezi i parë i luftëtarëve dhe veprues, veprimet e para për liri, mbështetës për mbarëvajtje dhe funksionim të UÇK-së e deri në komandim. Këtë nder e kanë bërë të madh të gjithë më prezencën e tyre”, u shpreh Haradinaj.

Homazhe dhe kurora lule tek varri i dëshmorit Luan Haradinaj bëri edhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, i cili tha se ka pasur fatin që bashkëveproi me një luftëtar siç ishte Luan Haradinaj.

Veseli tha se janë të përgjegjshëm se duhet të punojnë më shumë për shtetin e Kosovës, pasi në themelet e saj janë dëshmorët si Luan Haradinaj që ranë për liri.

“Natyrisht që ka qenë moment i rëndë pas rënies se tre heronjve tanë Zahirit, Edmondit dhe Hakifit ka qenë goditja e dytë e rëndë e cila për disa kanë menduar që ka me na gjunjëzuar, por koha ka treguar se na ka forcuar edhe më shumë për arsye se Luani e Shkëlzeni kanë qenë shumë të fortë për aq sa kanë qenë edhe prindërit e tyre të cilët me vendosmërinë e tyre na kanë jep edhe neve kurajo që të vazhdojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe në të njëjtë kohë të arrijmë idealin për të cilin kanë sakrifikuar. Sot ne të gjithë jemi krenar dhe në të njëjtën kohë të përgjegjshëm se duhet të bëjmë edhe më shumë për shtetin tonë të pavarur dhe sovran, Republikën e Kosovës për arsye se në themelet e saj është gjaku i Luanit, Shkëlzenit, Ademit, Zahirit, Edmondit e qindra e mija heronjve të luftës sonë për liri”, ka deklaruar Veseli.

Tek kompleksi memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan një grup rapsodësh nga Mallakastra interpretuan disa vargje për heronjt që ranë për lirin e Kosovës. Homazhe e kurora lule kreu i ekzekutivit të vendit, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kanë bërë edhe tek shtatorët e heronjve Sali Çekaj e Luan Haradinaj në Deçan.

Kurse, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se fal sakrificës së Luan Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij sot po e jetojmë lirinë./kosovapress/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak21 festa lokale për promovimin e potencialeve turistike
Artikulli tjetërNjë “El clasico” e veçantë